Washington Post: Kërcënimi terrorist anulon samitin e opozitës iraniane në Shqipëri

Për anulimin e samitit të opozitës iraniane në Shqipëri ka reaguar edhe The ëashington Post.

Washington Post raporton se në një deklaratë nga kampi thuhet se samiti është shtyrë deri në njoftimin e mëtejshëm me rekomandime nga qeveria shqiptare, për arsye sigurie dhe për shkak të kërcënimeve dhe komploteve terroriste.

Kujtojmë se disidentët iranianë në Shqipëri lajmëruan të premten se kishin anuluar një samit që ishte paralajmëruar të mbahet më 23-24 korrik, pas një lajmërimi të ambasadës amerikane në Tiranë, për një kërcënim të mundshëm terrorist.

Rreth 3.000 disidentë iranianë nga Muxhahedeen-e-Khalq, i njohur edhe si MEK, jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manez, 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit Tiranës.

Ata kishin planifikuar të mbanin në kampin e tyre Samitin Botëror të Iranit të Lirë, me pjesëmarrjen e senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë dhe ish-personaliteteve të tjera nga vendet perëndimore, për t’i bërë thirrje administratës Biden të miratojë një politikë vendimtare kundër regjimit të Teheranit.

Autoritetet shqiptare nuk iu përgjigjën pyetjeve mbi kërcënimin.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë paralajmëroi qytetarët e saj se ishte në dijeni të një kërcënimi të mundshëm që synon Samitin Botëror të Iranit të Lirë, duke u bërë thirrje qytetarëve të saj të shmangin këtë ngjarje.

Shahin Gobadi, zëdhënësi i iranianëve me qendër në Paris, përmendi gjithashtu “komplotin për të bombarduar tubimin madhështor të Iranit të Lirë më 30 qershor 2018, në Paris nga një prej diplomatëve aktivë të tij, Assadollah Assadi”.

Vitin e kaluar Assadi u dënua me 20 vjet burg në Belgjikë për organizimin e një sulmi me bombë kundër grupit opozitar iranian të mërguar MEK në Francë.

Muxhahedin-e-Khalq filloi si një grup marksist që kundërshtonte sundimin e Shah Mohammad Reza Pahlavi. Ajo mbështeti Revolucionin Islamik të vitit 1979, por shpejt pati një grindje me Ajatollah Ruhollah Khomeini dhe u kthye kundër qeverisë së tij klerikale, duke kryer një sërë atentatesh dhe bombash në Republikën Islamike.

MEK më vonë iku në Irak dhe mbështeti diktatorin Sadam Husein gjatë luftës së tij të përgjakshme tetëvjeçare me Iranin në vitet 1980, duke bërë që shumë njerëz në Iran të kundërshtojnë grupin. Edhe pse tani me bazë në masë të madhe në Shqipëri, grupi pretendon të operojë një rrjet brenda Iranit.


Shtuar 25.07.2022 16:30