Vrasja mafioze e të riut në Tiranë, policia shoqëron 15 dëshmitarë
Policia ka shoqëruar në komisariat 15 persona për t'u marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e Mario Majollari, mbrëmë në Tiranë.

Të shoqëruarit janë dëshmitarë në vendngjarje, persona familjarë, si dhe disa prej familjarëve të viktimave që kishte vrarë babi i Marios.

Ngjarja

Mbrëmjen e kaluar rreth orës 20:25 një i ri humbi jetën pasi u ekzekutua në një rrugicë pranë shtëpisë së tij, në Kinostudio në Tiranë.

I riu, i identifikuar si Mario Majollari u vra me 3-4 plumba në kokë nga një makinë e cila pas krimit u largua drejt Tufinës për në Dajt.

Policia tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja arme zjarri, që dyshohet të jetë pistoletë tip "TT".

I riu është qëlluar me plumba në kokë edhe në trup dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme, raporton albeu.com.

Detajet

Mësohet se rrugica ku ndodhi ngjarja ëshët një rrugicë e ndriçuar pak ndërkohë në momentin e atentatit nuk kishte aspak lëvizje.

Kjo për shkak se në momentet e ngjarjes po luheshin ndeshjet e "Champions League" dhe rrugët ishin të boshatisura.

Banorët e zonës u shprehën mbrëmë se kanë dëgjuar vetëm të shtënat dhe nuk kanë parë asgjë.

Por kush është Mario Majollari?

I riu nuk është person i njohur për policinë shqiptare madje ai nuk rezultonte me precedent penal.

Por babai i tij, vuan në burg dënimin e përjetshëm për vrasjen e dy shtetasve, raporton albeu.com.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2000, ku Avni Majollari, babai i viktimës pas një konflikti të çastit, kishte vrarë dy persona, Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzi.

Pavarësisht arrestimit të tij, frika për ndonjë gjakmarrje ishte prezente.

Mësohet se i riu i ekzekutuar mbrëmë, kishte kërkuar azil në Suedi ku dhe kishte rrëfyer ngjarjen dhe rrezikun që i kanosej.

Por autoritet suedeze nuk i dhanë azil duke u kthyer kështu prap në Shqipëri.

28-vjeçari kishte mbaruar shkollën e lartë për Turizëm dhe njihej nga miqtë si person i qetë dhe pa probleme.

Njoftimi i policisë mbi ngjarjen:

Rreth ores 20.25 ne nje rrugice qe lidhet me rrugen "Aleksander Moisiu" eshte vrare me arme zjarri, dyshohet pistolete, shtetasi M.M, 28 vjeç.

Grupi hetimor ka mberritur brenda pak minutash ne vendngjarje dhe po sekuestron e grumbullon çdo prove per te identifikuar dhe perballur me drejtesine autoret e krimit.

Forca te shumta policie kane ngritur pika kontrolli ne zone, si dhe ne te gjitha rruget lidhese me vendin e ngjarjes.

Per hetimin e saj eshte ngritur nje grup i posaçem hetimor me specialiste te Drejtorise Vendore te Policise Tirane.

Policia ka shoqeruar e po vijon shoqerimin e disa shtetasve qe mund te ndihmojne me deshmite e tyre per zbardhjen e rrethanave te vrasjes.

Njoftimi i policisë për arrestimin e babait të viktimës:

Babai i Mario Majollarit, që u ekzekutua mbrëmë me 4 plumba në Tiranë, ndodhet në burg, i dënuar përjetë për vrasje të dyfishtë, të kryer në bashkëpunim 18 vite më parë.

Avni Majollari u arrestua 14 vite pas ngjarjes dhe në banesë iu gjet arsenal armësh gjatë një operacioni që realizoi Policia e Tiranës në vitin 2014-të.

Policia e Tiranës më 1 mars të vitit 2014-të njoftoi për arrestimin e të kërkuarit, Avni Majollari. Sipas Policisë, rreth orës 00:15, në rrugën “Ibrahim Brahja” në Tiranë, nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit ishte bërë e mundur kapja e personit shumë të kërkuar Avni Xhemal Majallari, në atë kohë 44 vjeç.

Majollari ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

“Në vitin 2000 ka vrarë pas një konflikti me armë zjarri shtetasin Armando Nelaj (ish-kunati i tij) dhe Ilir Gjuzin, në segmentin rrugor Tiranë – Dajt. /albeu.com/
Shtuar më 11/04/2018, ora 09:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori