Vrasja e të riut në Bulqizë: Përveç 27 vjeçarit të arrestuar, policia procedon prindërit
Policia e Dibrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e shkuar kur mbeti i vrarë një 22 vjeçar, ngjarje e konsideruar aksidentale.

Në pranga ka përfunduar 27 vjeçari Klodian Kola, i cili dyshohet se qëlloi me armë gjahu shokun e tij 22 vjeçarin, Elidon Basha.

Policia thotë se krahas arrestimit të tij, janë proceduar edhe prindërit e 27 vjeçarit pasi kanë tentuar të fshehin rrobat me gjak dhe motorin me të cilën ai kishte udhëtuar për në pyll për gjueti.

Policia:

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fushë Bulqizë.

Vihet në pranga 27- vjeçari për vrasje nga pakujdesia.

Procedohen penalisht edhe prindërit e tij për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me të cilën autori i dyshuar, nga pakujdesia plagosi me pasojë vdekjen 22- vjeçarin.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Bulqizë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën Fushë- Bulqizë –Kodër Dane, ku humbi jetën 22 -vjeçari E.B.

Si rezultat i veprimeve hetimore u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit tip ‘Kallashnikov’, me të cilën autori nga pakujdesia plagosi me pasojë vdekjen 22- vjeçarin, ngjarje e ndodhur në vendin e quajtur Fusha e Peladhisë, në afërsi të ish-Repartit Ushtarak, vend në të cilin kishin shkuar për gjueti.

Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale motomjeti me të cilin kishin lëvizur për gjueti, një armë gjahu, një kallashnikov, një pushkë sportive, një gjerdan me fishekë, një elektrik dore si dhe rrobat me njolla gjaku që autori kishte veshur në momentin e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 27 vjeç, lindur dhe banues Fushë Bulqizë.

Gjithashtu janë proceduar penalisht prindërit e autorit të dyshuar konkretisht shtetasit H.K., e M.K., pasi autori së bashku me prindërit kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe konkretisht kanë fshehur motorin me të cilin ka lëvizur i arrestuari dhe viktima, kanë fshehur rrobat me njolla gjaku të cilat mbante veshur autori, në momentin e ngjarjes, si dhe kanë çmontuar e pastruar armën e gjahut të cilën i arrestuari e ka patur në momentin e ngjarjes.

Materialet hetimore në ngarkim të autorit të dyshuar dhe prindërve të tij i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale në ngarkim të shtetasit K.K, ” Vrasja nga pakujdesia”, “Armëmbajtje pa leje”,”Prodhimi dhe mbajta pa leje e armë të gjuetisë”, “Drejtimi i mjetit në mënyrë të pa rregullt”, dhe ndaj prindërve të tij për veprën penale “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.
Shtuar më 27/11/2020, ora 19:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori