Vrasja e oficerit në Lazarat, arrestohet në SHBA autori
Policia Shqiptare në bashkëpunim me autoritet në SHBA ka arritur të arrestojë një ndër autorët e vrasjes së oficerit të RENEA-së në qershor 2015 në Lazarat.

Policia e Shtetit bën me dije se ka vënë në pranga shtetasin Ruhan Hiraj, 20 vjeç.

Njoftimi i policisë

ZQK Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe me Organizatën Ligjzbatuese FBI, ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë në datë 20.12.2017 në SHBA, shtetasin në kërkim ndërkombetar :

-Ruhan HIRAJ, 20 vjeç, lindur në Gjirokastër, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda  Tiranë, me vendimin nr. 495, datë 24.11.2015, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”  për  veprën penale të “Vrasja e punonjësve të Policisë Shtetit” e kryer në bashkëpunim,  “Vrasja e punonjësve të Policisë Shtetit e mbetur në tentativë” , “Prodhim dhe mbajtja e armëve luftarake” dhe “ Prodhim, shitje e lëndëve narkotike”, parashikur nga nenet 79/b, 25, 79/b, 22, 25; 278/2 dhe 283  të K.Penal të R.Shqipërisë.

Përmbledhje faktesh:

Në  24.06.2015, forcat speciale RENEA janë futur/kanë ndërhyrë në fshatin Lazarat, Gjirokastër pas një informacioni për të shtëna me armë nga persona të panjohur.

Gjatë ndërhyrjes i arratisuri bashkë me persona të tjerë ka vrarë me armë zjarri punonjësin e policisë Ibrahim BASHA  si dhe ka tentuar të vrasë 5 punonjës të tjerë policie.

ZQK Interpol Tirana, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtesisë,  janë duke kryer të gjitha veprimet për ekstradimin sa më shpejtë të jete e mundur të shtetasit Ruhan HIRAJ drejt Shqiperisë. /albeu.com/

Shtuar më 23/12/2017, ora 15:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori