Vrasja e militantit të LSI, mjekët: E hodhën trupin në oborr dhe u larguan
Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e Alban Kaloshit në Dibër. Mësohet se ka qënë personeli i urgjencës në spitalin e Peshkopisë që e kanë gjetur të parët viktimën.

Ato kanë dëshmuar se dy persona e hodhën në oborr nga mjeti i tyre viktimën dhe u larguan duke humbur gjurmët.

Mësohet se personeli që shërben në urgjencën e këtij spitali ka parë dy shtetas të panjohur që kanë nxjerrë nga makina një person dhe janë larguar me shpejtësi.

Sapo mjeku roje dhe infermieret kanë dalë nga urgjenca, kanë gjetur të pajetë shtetasin Alban Kaloshi. Ata kanë njoftuar menjëherë Policinë se në oborrin e spitalit është gjetur një viktimë, shkruan Panorama.

“Ka qenë ora 03:30 kur kemi dëgjuar zhurmën e një makine dhe kemi dalë në derën e urgjencës. Kemi parë dy persona që ikën me shpejtësi. Nuk i dalluam kush ishin. Iu afruam personit që hodhën aty dhe pamë që ai kishte vdekur”, janë shprehur për policinë personeli i urgjencës së spitalit të Peshkopisë.

Mjekët i kanë telefonuar me shpejtësi sallës operative, por deri në mbërritjen e efektivave të Komisariatit të Peshkopisë personat ishin larguar në drejtim të lagjes “Kamen”. Viktima është dërguar në morgun e spitalit.

Aty ka mbërritur eksperti ligjor dhe prokurori i Dibrës. Gjatë këqyrjes së kufomës është konstatuar një plagë plumbi me hyrje në kraharor dhe dalje në shpinë. Sipas mjekut ekspert, viktima Alban Kaloshi, 42 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, tip pistoletë. /albeu.com/

Shtuar më 23/09/2017, ora 14:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori