Vrasja e kryekomisarit / Kush e manipuloi dëshmitarin që pa atentatin?
Gjykata e krimeve të rënda më trupën gjykuese (Dritan Hallunaj, Klodian Kurushi, Fran Prendi, Ardit Mustafaj, Liliana Baku) që po mbledh gjithnjë e më shumë mërinë e publikut, e liroi me një argument kryesor Arben Frrokun, të dyshuar për vrasjen e komisar Dritan Lamaj: dëshmitari nuk thoshte të vërtetën. Pra sipas vendimit të kësaj pesëshe gjyqtarësh, dëshmitari kryesor i kësaj ngjarje i njohur me identitetin e rremë si Arben Ndoka, ka gënjyer. Ai nuk e ka parë me sytë e tij vrasjen.

Gjykata pretendon se, sipas kamerave të vendosura në vendin e ngjarjes, çifti Arben Ndoka dhe gruaja e tij kanë kaluar aty 4 minuta pasi krimi kishte ndodhur. Madje sipas gjykatës, kur dëshmitarët kaluan pranë vendit të ngjarjes, trupi i Dritan Lamajt tashmë ishte larguar nga makina, ku e kishin qëlluar autorët, për t'u dërguar drejt spitalit.

Dëshmitari, sipas gjykatës, ka rezultuar i pabesueshëm edhe sepse ai dhe gruaja e tij kanë dhënë versione të ndryshme në momentin kur ata ia kanë rrëfyer ngjarjen autoriteteve. Sipas Arben Ndokës, ai i ka thirrur në shtëpinë e tij drejtuesit e lartë të policisë për të bërë dëshminë e tij natën e krimit. Ndërsa e shoqja thotë se kjo nuk ka ndodhur dhe se atë natë ai ka ardhur shumë vonë në shtëpi.

Edhe nga dëshmitë e ish drejtuesve të lartë të policisë para gjykatës dalin kontradikta. Tonin Vocaj ka thënë se dëshmitari i tregoi vetëm targën e makinës që kish parë në vendin e krimit, ndërsa Agron Kuliçaj ka thënë se ai i tregoi edhe emrin e Arben Frrokut.

Atëherë a ka qenë i besueshëm dëshmitari kyç? Dhe për më tepër nëse nuk tregon të vërtetën, kush e ka manipuluar atë? Përse? Me ç'qëllim? Në editorialin e tij te gazeta Tema, Mero Baze hedh pikpyetjen: ose dëshmitari ka thënë të vërtetën dhe ai duhet të shërbente për dënimin e Arben Frrokut për vrasjen e komisarit, ose ai ka gënjyer dhe në këtë rast duhet të shkojë ai në burg, për të kuptuar pse u tentua të manipulohej me këtë ngjarje. /albeu.com/

Të dyja bashkë nuk mund të qëndrojnë edhe dëshmia e Arben Ndokës edhe lirimi i Arben Frrokut. Nëse pesë gjyqtarët (Dritan Hallunaj Klodian Kurushi, Fran Prendi, Ardit Mustafaj, Liliana Baku) pretendojnë se ai ka gënjyer, publiku duhet të kuptojë edhe pse e bëri këtë.

(lapsi.al)
Shtuar më 05/04/2015, ora 14:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori