Goditi me thikë në qafë policin 25-vjeçar, momenti kur Operacionalja dhe FNSH arrestojnë Thodhori Mërkurin

Ky është momenti kur shërbimet operacionale të DVP Vlorë dhe grupe të FNSH-së, kanë rrethuar dhe më pas arrestuar Thodhori Mërkurin, 60-vjeçarin i cili plagosi me thikë policin Redin Çaushaj.

Pas 8 orësh ndjekje, policia ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë Mërkurin, i cili arriti të arratisej nga vendi i ngjarjes mbrëmjen e djeshme duke përfituar nga errësira.

Mësohet se 60-vjeçari ishte fshehur ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur.

“Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin Th. M., për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit””, njofton zyrtarisht policia.

Ngjarja

Rreth orës 23:00 të datës 15.08.2023, te kthesa e fshatit Pilur, disa shtetas kanë qenë duke u konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë, Redin Caushaj, 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, jashtë orarit të shërbimit, ka qenë duke kaluar në rrugë dhe ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Gjatë përpjekjes së punonjësit të Policisë, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, Thodhori Mërkuri e ka goditur me thikë në qafë punonjësin e Policisë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.

/Albeu.com/


Shtuar 16.08.2023 09:50