Vrasja e Aleks Nikës, Prokuroria merr në pyetje dëshmitarë të rinj
Pak kohë pas deklaratave të Prokurorit të Përgjithshëm se mbetet ende e pazbardhur një prej vrasjeve të protestës së 21 janarit, prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje dy dëshmitarë të cilët kanë qenë fare pranë viktimës Aleks Nika ditën e vrasjes se tij.

Ora-News bën më dije se janë marrë në pyetje dy persona nga Saranda, të cilët kanë qenë pranë protestuesit, ndërkohë që dhe ata mbetën të plagosur në vendngjarje.Të njëjtat burime sqaruan se dy dëshmitarët janë marrë në pyetje, e për më tepër janë dërguar dhe përballë Kryeministrisë, në vendin ku humbi jetën i riu nga Lezha.

Nga aty ata kanë treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes se ku ishin vendosur, nga erdhen plumbat apo edhe dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.Të rinjtë nuk u morën në pyetje pas protestës së 21 janarit pasi të dy u larguan nga Shqipëria drejt shtetit helen menjëherë pas demostratës së dhunshme.

Ndërkohë në deklarimet e tyre për organin e akuzës pak ditë më pare, ata kanë pohuar se plumbat kanë ardhur nga godina e Kryeministrisë, ndërsa nga të gjitha ekspertimet mjekësore ka rezultuar se nuk kanë qenë rikoshet.

Deklarimet e tyre i shërbyen Prokurorisë për të si indicie të reja për të hetuar mbi vrasjen e Aleks Nikës, për të cilën ende nuk një autor të dyshuar kur kanë kaluar më shumë se tre vjet nga ngjarja tragjike.

Plumbi, i cili i mori jetën të riut nga Lezha u krahasua me rreth 70 armë automatike si dhe me 60 pistoleta të sekuestruara nga Garda, ndërsa pas ekspertimit nuk rezultoi se i përkiste ndonjërës nga armët, kjo për shkak se ishin dëmtuar vjaskat, një ndër elementët kyç në identifikimin e armës së përdorur.

Prokuroria ngriti dyshimet se plumbi mund të jetë dëmtuar nga rikosheti, ose në kockat e 36-vjeçarit, pasi në ekzaminime del se predha i kishte prekur një pjesë të kafkës së kokës.

Nga ana tjetër familjarët e 36-vjeçarit nga Lezha pretendojnë se skaneri tregon se plumbi ka hyrë drejtpërdrejtë, jo me rikoshet ndërsa dëshmia e të rinjve nga Saranda, por edhe verifikimet mjekësore të kryera prej tyre në Greqi pritet të zbardhin më shumë mbi vrasjen e Aleks Nikës. /albeu.com/
Shtuar më 09/02/2014, ora 16:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori