U vra para selisë së PD-së, ky është debati i fundit i Azem Hajdarit
Vendosja e shtatores së Azem Hajdarit në Tropojë ka rikthyer në vëmëndje figurën e Hajdarit dhe ngjarjet që lidhem me emrin e tij.

Ai u vra në një atentat pranë selisë së PD-së pak muaj pas dhjetorit të ’90-ës.

Cili ka qenë diskutimi i fundit në parlament i tij, pak muaj para se të vritej në një atentat pranë selisë së PD-së?

Bëhet fjalë për një debat mbi hetimin ngjarjeve të vitit 1997, e për gjetjen e fajtorëve të ngritjes së firmave piramidale.

Azem Hajdari pati një replikë me kreun e grupit parlamentar socialist të asaj kohe, Pandeli Majko dhe ish-ministri i tyre në kohën studentore, Skënder Gjinushi.

Replikat

Pandeli Majko : Unë jam shumë dakord me ju zonja Topalli dhe me Azemin që thoni: Keni një vit në pushtet, pse nuk nxirrni emra?

Jam shumë dakord me ju. Dhe bravo të qoftë, Azem, të njoh shumë mirë dhe e luan shumë bukur lojën. Hajde ti e thuaj se kush janë socialistët e implikuar dhe ne do të themi se kush janë demokratët e implikuar, meqenëse prokuroria i ka mbyllur sytë, sepse prokuroria, zonjë, ka frikë.

Ka frikë, sepse pjesa e klasës politike që është e implikuar, është ende e fuqishme në politikë, si në opozitë, por ka dhe palaço brenda radhëve të pozitës. Po mos kujtoni se nuk do të vijë një ditë që këta emra do të dalin. Kjo është garancia jonë.

Megjithatë, zonjë, para se të akuzoni, duhet të shikoni, siç thashë, nga radhët tuaja.

Protagonistët nuk i keni në sallë. Ju flisni në emër të të tjerëve, që janë larguar sot nga politika, flisni në emër të Zhulalit, flisni në emër të njerëzve që nuk janë në Shqipëri. Ju respektoj, prandaj jua them me gjithë zemër këto fjalë.

Azem Hajdari: Kjo nuk është lojë zoti Majko, por është burrni. Nëse prokuroria ka frikë, zoti Gjinushi, duhet të ndërhyni urgjentisht që të ndërrohen prokurorët. Kjo e para.

E dyta, ajo që ndodhi në Vlorë, nuk ndodhi sepse u çuan tanket atje, por ju e bëtë atë në Vlorë, sepse donit që të bëheshin vrasje në Drenicë e në Deçan, nuk kishte rrugë tjetër. (Reagim në sallë)

E treta dhe e fundit, ju nuk keni absolutisht argumente që të mbroni rebelimin, ju jeni të frikësuar dhe Kryeministri po ju arratiset. Emrat e PD-së nxirrini ju, se ju i keni mbajtur të gjitha mbeturinat e PD-së, që Berisha i hoqi dhe i mbani ju. Rulët me shokë ju i mbani.

Pashkot me shokë ju i mbani. Cekat ju i mbani. Këtu ka shumë njerëz të tjerë dhe s’ka nevojë për ata, por juve nuk ju pëlqejnë njerëzit që ju drejtuan dhe keni marrë mbeturinat tona, i vutë në krye dhe mendoni që po përmalloni popullin me këtë punë.

Skënder Gjinushi: Zoti Hajdari, meqenëse ju bëtë një replikë më të gjerë sesa personale, unë do të sqaroja se keni shumë të drejtë kur thoni që tanket drejt Vlorës kanë lidhje me Drenicën dhe me Deçanin.

Ata që i kanë çuar, i çuan që të shpërbëhet ushtria dhe Shqipëria të gjendet pa ushtri.

Për sa i takon rebelimit, jam i detyruar përsëri të replikoj me ty, sepse akuzon të gjithë Parlamentin. Ju që akuzoni ish-opozitën se gjoja nxiti rebelimin, sot në çdo shesh vazhdoni të luani me “Vefën” dhe me pakënaqësinë e këtij populli.

Pra, vetes i jepni të drejtën të nxisni, të kërkoni paratë dhe vetëm për një premtim doni të krijoni një rebelim të ri. Atëherë populli doli vetë në shesh. Madje dhe vetë e thatë që dolën për paratë dhe s’i nxori opozita. Kështu që ju njëherë thoni ndryshe, njëherë tjetër thoni ndryshe. Kaq kisha për të sqaruar. /albeu.com/

Shtuar më 29/10/2017, ora 10:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori