Votohet akti normativ, pronarët marrin frymë lirisht
Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi ka miratuar me 67 vota pro dhe 4 abstenim aktin normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve. Partia Socialiste nuk mori pjesë në votim ndërsa disa nga deputetët e LSI-së abstenuan.

Ndërkohë më herët shqyrtimi i këtij akti u shoqërua me debate në Kuvend mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe deputetit socialist Sajmir Tahiri.

Kryeparlamentarja Topalli ka akuzuar socialistët se i urrejnë pronarët, ndërsa deputeti Tahiri theksoi se nga ky ligj përfitojnë, ministra e deputetë të PD-së.

Tahiri akuzoi qeverinë se ka keqësuar konfliktin e pronave ndërsa shtoi se akti normativ nuk i jep zgjidhje pronarëve por edhe qiramarrësve.

"Akti normativ që vjen sot vjen pas dy nismave të qeverisë, të këtij kryeministri, të dyja janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, se nuk i japin zgjidhje pronarëve dhe qiramarrëves. A e dini sa problem ka me pronat. Janë vrarë 8 mijë 100 qytetarë në mbarë vendin. Më shumë se 1 qytetar në ditë. Koston e mban klasa politike. Ju thoni le të vriten", shtoi Tahiri.

Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri kërkoi më herët që tu vihej në dispozicion të gjithë deputetëve rekomandimi i Avokatit të Popullit për aktin normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve. Tahiri tha se Avokati i Popullit e ka cilësuar aktin si të papajtueshëm më Kushtetutën, dhe se zbatimi i tij do të ketë pasoja.

Kryetarja e Kuvendit, u përgjigj duke thënë se në Parlament nuk është Avokati i Popullit që shikon përshtatshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, por komisioni përkatës.

Gjithashtu Kuvendi ka votuar me 124 pro projektit për ndërtimin e By pass-it të Fierit. /albeu.com/
Shtuar më 13/09/2012, ora 15:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori