Votimi për vizat, Topi mesazh qytetarëve dhe politikës
Presidenti Bamir Topi
Presidenti i republikës Bamir Topi pas votimit në Parlamentin Europian të propozimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë i drejtohet qytetarëve me anë të një mesazhi.

Më posht është dhe mesazhi i plotë i presidentit Bamir Topi.

“Më lejoni të shpreh gëzimin tim të madh, të vlerësoj dhe të falënderoj Parlamentin Evropian për vendimin historik, i cili i hap rrugë lëvizjes së lirë të shqiptarëve, kësaj aspirate të thellë e të gjerë të popullit shqiptar dhe të institucioneve të tij pëfaqësuese. Jam këtu me cilësinë e Presidentit të Republikës për të shprehur edhe shqetësimin tim mbi disa zhvillime politike të kohëve të fundit, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me aktorët politikë, por me shtetin, demokracinë dhe interesat e publikut të gjerë dhe të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e kreut të shtetit. Topi shprehet më tej: Jam këtu me cilësinë e Presidentit të Republikës, për të shprehur shqetësimin tim të thellë mbi disa zhvillime politike të kohëve të fundit, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me aktorët politikë, por me Shtetin, demokracinë dhe interesat e publikut të gjerë qytetar. Siç bashkarisht kemi konstatuar, prej muajsh retorika politike në Shqipëri po dominohet nga akuza e kundërakuza midis politikanëve, zyrtarëve dhe medias. Aktorët politikë të përfshirë në këtë debat po furnizojnë çdo ditë publikun me dokumente dhe të dhëna të pretenduara për inkriminimin e palës tjetër. Vërtetësia e akuzave natyrisht nuk është atribut i Presidentit dhe as i partive politike; ajo është atribut vetëm i drejtësisë dhe organeve që parashikon Kushtetuta. Fushata e akuzave dhe kundërakuzave nuk është më çështje e partive, është çështje e Shtetit, e demokracisë dhe e sistemit tonë politik. Sepse ky zhvillim i ri po lë në hije prioritetet politike që duhej të kishte qeverisja dhe politika ndaj qytetarëve dhe shoqërisë, dhe nga ana tjetër, nuk mund të mos lërë pasoja në imazhin e demokracisë, Shtetit dhe të vetë Shqipërisë në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në këto rrethana, me përgjegjësinë e Presidentit të Republikës shpreh shqetësimin për këtë situatë dhe për gjetjen e rrugëzgjidhjeve të shpejta, transparente dhe të besueshme. Unë përshëndes çdo deklaratë që nxit dhënien e drejtësisë dhe shpreh vullnet bashkëpunimi real me organet e ligjit. Unë jam këtu për të konfirmuar mbështetjen time të deritanishme dhe të mëtejshme ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe çdo institucioni tjetër kushtetues e ligjor që ka për detyrë mbrojtjen e ligjit dhe dhënien e drejtësisë. Jam gjithashtu këtu për t’u kërkuar, edhe një herë, në mënyrë publike këtyre institucioneve që në emër të interesave madhore të vendit, të rendit kushtetues dhe përgjegjshmërisë demokratike, të veprojnë pa vonesë, me kurajo, me transparencë e profesionalizëm për të trajtuar me të gjithë seriozitetin e duhur çdo akuzë reciproke të aktorëve politikë, çdo denoncim publik, zyrtar e mediatik; dhe brenda një limiti kohor të caktuar të informojnë publikun shqiptar mbi të vërtetat e tyre. Çdo politikan, zyrtar, nëpunës e sipërmarrës që ka abuzuar me ligjin, pavarësisht staturës politike e publike, duhet të përballet me ligjin. Ky është parimi i shtetit të së drejtës, ky është lajmotivi për një demokraci të shëndoshë, të besueshme dhe funksionale. Shqipëria ndodhet në një fazë mjaft të rëndësishme në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë interes vital kombëtar nuk mund të bëhet pengesë asnjë individ ose grup individësh, qofshin këta politikanë, zyrtarë apo përfaqësues të drejtësisë. Në emër të këtij interesi madhor jam këtu për t’i apeluar të gjithë klasës politike, sidomos partive politike të përfaqësuara në parlament, që me konsensus të gjerë ose me nisma individuale, të bëjnë të mundur heqjen e pengesës së imunitetit parlamentar për të gjithë deputetët. Ftoj parlamentin që me konsensus dhe përgjegjshmëri përpara vendit, të bashkëpunojë për ndërhyrje të menjëhershme, qofshin këto dhe kushtetuese, për heqjen ose kufizimin e imunitetit edhe për një kategori të gjerë zyrtarësh, siç janë organet e drejtësisë dhe drejtuesit e institucioneve të ndryshme kushtetuese. U kërkoj publikisht të gjithë zyrtarëve të çdo niveli, të bashkëpunojnë ngushtë dhe me korrektësi me organet e drejtësisë, për të mos lejuar përsëritjen e praktikave të gabuara të së kaluarës, kur drejtësia e mohuar ose e penguar, i mori shumë vite shtetit ligjor dhe proceseve demokratizuese e integruese të Shqipërisë. Apeloj publikisht, veçanërisht klasën politike, të mbështesin zhvillimin e një pushteti gjyqësor të pavarur, të paanshëm, etik, të besueshëm, efektiv dhe te drejtë në Shqipëri; të shmangin dhënien e opinioneve, para ose gjatë gjykimit të një çështjeje, rreth karakterit të palëve në gjykim, fajësisë apo pafajësisë së tyre, apo rreth provave dhe argumenteve të paraqitura në gjykatë. Cdokush mund të debatojë apo kritikojë publikisht korrektësinë e një vendimi gjyqësor, vetëm pasi ai ka përfunduar, por duhet shmangur sulmi publik i integritetit të një gjykatësi apo të gjyqësorit. Çdo informacion për sjelljen apo veprimet e paligjshme të një gjykatësi, në mënyrë të menjëhershme dhe zyrtarisht i duhet referuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo Ministrisë së Drejtësisë për hetim të mundshëm të mëtejshëm. Në këtë stad historik për integrimin euroatlantik, Shqipëria ka nevojë për vepra konkrete politike, nisma konkrete ligjore antikorrupsioni dhe veprime konkrete të institucioneve përgjegjëse, për të dëshmuar se pushtetet kushtetuese që përfaqësojnë direkt apo indirekt qytetarët kanë moralin dhe tagrin e duhur profesional e qytetar për të ushtruar si duhet përgjegjësitë e tyre ligjore e kushtetuese. Ju faleminderit!
Shtuar më 07/10/2010, ora 12:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori