Publicisti Loshi i del në mbrojtje deputetes Kollçaku: Në asnjë fjalë nuk e ka fyer UÇK-në

Një nga personat publikë që i ka dalë në mbrojtje nënkryetares së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku është edhe publicisti Liri Loshi.

Ky i fundit ka bërë një postim në rrjetin social Facebook ku shpreh habinë e tij me reagimet kundër Kollçakut në lidhje me citimin e analistit serb. Madje Loshi përmend edhe Presidentin Thaçi, duke kritikuar reagimin e tij për një rast të cilin nuk e kishte kuptuar siç duhet.

Ai e thekson se postimi i deputetes nuk fyen për asnjë çast UÇK-në e as bartësitë e saj të luftës për liri madje nuk thotë asgjë për këtë çështje pasi fjalët janë të analistit.

Loshi për më tepër analizon edhe fjalët e analistit, i cili sipas tij nuk fliste për krimet e UÇK-së por vinte në pah faktin se Albin Kurti nuk ka dosje kriminale apo afera korruptive.

Postimi i plotë

Ajo që më ka befasuar shumë është pse presidenti ynë reagoi ndaj një postimi, të cilin dukej qartë se nuk e kishte kuptuar! Zonja Kollqaku me asnjë fjalë nuk e kishte fyer UÇK-në e as bartësit e luftës për liri. Ajo kishte cituar një opinionist serb, por që as ai nuk kishte thënë ndonjë gjë për krimet e UÇK-së. Ai vetem kishte veçuar Albin Kurtin si njeri të pakorruptuar dhe pa dosje kriminale nga lufta e UÇK-së.

Është krejt normale që një njeri që ka vepruar në Prishtinë për UÇK-në, për dallim nga veprimi në terrenet e luftës, të mos kete një vegëz ku mund ta kapesh për ndonjë krim të mundshëm. Kjo pra, nuk është ndonjë meritë e zotit Kurti. Meritë do të ishte sikur ai të kishte vepruar në terrenet e luftës dhe të ishte i pastër nga krimi. Edhe më meritë do të ishte sikur ta kishte penguar krimin. Këso meritash pra, duhet të kërkohen tek të gjithë ne që ishim në vija të frontit dhe jo tek Albini!

Çështje është vetëm kjo: është, apo nuk është Albin Kurti njeri i shantazhueshëm? Ka apo nuk ka Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare një dokument që mund ta komprometojë Albin Kurtin?! Të gjithë e dimë se nuk e ka. Tash çfarë rëndësie ka se kush e tha këtë fakt? E kemi thënë ne vetë, njëmijë herë para Serbisë, përfshirë edhe mua, se Albin Kurti nuk ka asnjë vepër e cila mund të sherbejë si shantazh kundër tij. Dhe, kur në krye të shtetit ke dike si zotin Kurti që nuk shantazhohet dot, kjo do të thotë se nuk shantazhohet as Kosova. A nuk është kjo krenari për të gjithë ne?

Ta lëmë luftën anash! Të shohim për këto njëzet vite në liri kush është korruptuar e kush jo. Kur lufta bëhet strehë për të mbuluar aferat korruptive kjo ngjan në qyqarllek. Nuk ngjan në krenari.


Shtuar 19.02.2020 08:13