Vorpsi mbledh Komisionin e Planifikimit të Emergjencave
Nën cilësinë e kryetarit, Prefekti i Qarkut Tiranë, mblodhi Komisionin e Planifikimit të Emergjencave, për të vendosur prioritetet e parandalimit dhe për të raportuar gadishmërinë e secilit institucion pjesë përbërëse e komisionit në fjalë.

Duke folur për zonat problematike të qarkut, prefekti Sadi Vorpsi tha se sigurimi i jetëve njerëzore përmes lajmërimit të shpejtë të popullatës dhe informacionit të ndërsjelltë, për shkak të situatës së përmbytjeve të mundshme, është prioritet.

“Kontrolli dhe garantimi i kalueshmërisë së akseve rrugore, si rezultat i përmbytjeve. Ofrimi i ndihmës mjekësore për popullsinë e zonave të prekura nga fatkeqësia. Mundësimi i ndihmës në ushqime e veshmbathje. Marrja e masave për një evakuim të mundshëm të banorëve të zonave të prekura.

Këto prioritete sigurisht duhen pasur në vëmendje pasi stina e shirave dhe ngricave sapo ka nisur dhe parandalimi apo gjendja në gadishmëri e Komisionit të Emergjencave është detyrim sa ligjor, po aq edhe moral”, tha prefekti Vorpsi.

Ai theksoi se duke u nisur edhe nga situatat e krijuara vitet e mëparshme, janë marrë masa të menjëhershme për sigurinë e digave dhe rezervuarëve që ndodhen nën juridiksionin e Njësive të Qeverisjes Vendore të Qarkut Tiranë, bazuar në funksionet dhe detyrat e parashikuara në ligj. “Më konkretisht, një personel inxhinjero–teknik i Bordit të Kullimit në Qark, ka qene ne gatishmëri për dhënie asistence në rastet e kërkuara nga Organet e Qeverisjes Vendore.

Eshtë konstatuar gjithashtu se në përgjithësi gjendja e digave ka qenë e mirë, janë prekur kryesisht nga fenomeni i rrëshqitjes dhe gërryerjes si pasojë e reshjeve të shumta në këto dy vitet e fundit. Janë konstatuar filtrime uji në skarpatat e jashtme, apo rezervuare të cilëve i është dëmtuar shkarkuesi katastrofik, ose në ndonjë rast ai ka dalë fare jashte perdorimit. Probleme jane vene re edhe ne funksionimin e saracineskave portave apo mekanizmat e komandimit”, tha Vorpsi gjatë analizës.

Në takim, një rëndësi e veçantë është kërkuar nga Prefekti që t’u jepet ujëmbledhësve, me kujdes të veçantë duhet të ketë ndaj njësisë Farkë, Cerkëzë, dhe sidomos Paskuqanit, të cilat në rast çarjesh ose defektesh përbëjnë rrezik përmbytje për arsye se kane kapacitet te madh ujembajtes dhe ndodhen afer qendrave te banuara respektive.

Në tryezën e thirrur ishin të pranishëm drejtues të 5 bashkive dhe njësive administrative të Qarkut Tiranë, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, drejtues të OSHEE, Bordit të Kullimit, etj. /albeu.com/
Shtuar më 30/10/2015, ora 16:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori