Vollebaek: Pajtimi ndëretnik në Kosovë është proces i vështirë
Albeu.com
Procesi i pajtimit ndërmjet komuniteteve mund të fillojë dhe të vendoset si standard kur ka një vullnet, por në këtë fazë duket të jetë i vështirë dhe shumë sfidues, tha Knut Vollebaek, komisionar i lartë për pakica në OSBE.Duke e paraqitur situatën si jo ideale për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë, Vollebaek, deklaroi sot në Prishtinë se megjithatë është arritur progres, sidomos në implementimin e ligjeve për pakicat.
Në Kosovë duhet të fillojë të ndërtohet besimi ndëretnik nëse dëshirohet që të ketë një të ardhmen të mirë e paqësore. Të gjithë që jetojnë këtu duhet të shprehin guxim për të ndërtuar të ardhmen. Kjo është porosia që komisionari lartë i OSBE-së për minoritetet, Knut Vollebaek, ka sjellur në Kosovë.

Në një konferencë për shtyp, në ditën e dytë të qëndrimit në Prishtinë, Vollebaek theksoi nevojën e fillimit të procesit të pajtimit mes komuniteteve në Kosovë edhe pse ai e konsideron të vështirë dhe sfidues. Ai tha se zyra e tij po punon që ta çojë perpara këtë proces.

“Asnjë proces që promovon pajtimin nuk mund të imponohet nga jashtë por ai duhet të drejtohet nga vendorët”, tha Vollebaek duke shtuar se në takimet me drejtuesit e institucioneve të Kosovës ka hasur në vullnetin e tyre për të punuar me të gjithë dhe për ta shtyrë përpara procesin e pajtimit, mgjithatë kjo nuk është e mjaftueshme.

“Natyrisht se është shumë e rëndësishme që të ketë angazhime të tilla të autoriteteve por ky nuk është një proces që zhvillohet nga lartë poshtë. Kjo është e domosdoshme që të përkrahet nga i gjithë populli i Kosovës, nga të gjitha komunitete”, tha Vollebaek.

Ai më tej e ka vlerësuar pozitivisht bazën ligjore të krijuar në Kosovë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve por tha se ajo duhet të bëhet realitet me implementimin në terren e jo të mbetet vetëm në letër. Ai gjithashtu është shprehur i kënaqur se në muajt e fundit në Kosovë situata e sigurisë është përmirësuar dhe nuk ka pasur asnjë incident ndëretnik. Vollebaek
së bashku me kryeministri Hashim Thaçi morën pjesë edhe në debatin me temën “Drejtësia në Tranzicion” të organizuar nga Instituti Kosovar për Komunikim dhe Gazetari . (RTK)
Shtuar më 28/05/2008, ora 16:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori