Vokshi: Rama pasaradhës i diktaturës, të tregojë kush ekzekutoi poetin Havzi Nela
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi u takua me drejtueset e LDG- se Lezhë, Mirditë dhe Kurbin nga ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 18 shkurtit në Tiranë për të rrëzuar qeverinë dhe për të çuar Shqipërinë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Nga Tirana nis një lëvizje popullore pa kthim, e cila do të përfundojë vetëm me largimin e kësaj qeverie të korruptuar, antisociale, të lidhur me krimin e organizuar. Sot qeverisemi nga kriminelë. Pushteti duhet t’u kthehet qytetarëve. Edi Rama erdhi në pushtet me vota të blera.

Ndaj e mbushi Shqipërinë me hashash, sepse kërkon paratë e drogës që të blejë votat në zgjedhjet e ardhshme. Lezha dhe e gjithë Shqipëria duhet të bëhen barrikadë përballë kësaj organizate kriminale, që varfëroi dhe gjysmën e popullsisë. Me politikat korruptive në arsim, të rinjtë dhe te rejat e talentuar ngelën pa shkollë. Me shkatërrimin e administratës , gratë profesioniste u hoqën nga puna dhe u përndoqën politikisht. Gratë kryefamiljare dhe viktimat e dhunës u lanë pa mbrojtje sociale dhe ligjore. Pensionistët i detyruan të hapin procese gjyqësore për të vërtetuar vitet e punës në diktaturë. Afro 30 % e popullsisë emigroi prej varfërisë dhe për arsye sigurie. Rama me axhendën e korrupsionit vodhi buxhetet publike, rriti taksat dhe çmimet, falimentoi biznese dhe monopolizoi sektorë strategjikë. Ndaj të ngrihemi të gjithë bashke në 18 shkurt në protestën e pandalshme: qëllimi final, pushteti t’i kalojë popullit, kjo është demokracia!”

Deputetja Vokshi e quajti hipokrizi propagandën e Kryeministrit me historitë e ish sigurimit të shtetit. Vokshi tha se Rama është pasardhës i atij regjimi dhe i kërkoi të tregojë se kush firmosi për ekzekutimin e poetit Havzi Nela.

“I bëj kërkesë Edi Ramës që bashkë me dosjen e Musine Kokalarit të hapë edhe dosjen e Havzi Nelës dhe të tregojë se kush ka firmosur për ekzekutimin e tij.”, tha Vokshi. Në takimin e Vokshit me strukturat e Lidhjes Demokratike të Gruas të degëve Lezhë, Mirditë dhe Kurbin mori pjesë edhe deputetja e Mirditës Albina Deda, e cila theksoi gjendjen e vështirë ekonomike të mijëra familjeve dhe vështirësitë me të cilat përballen gratë dhe vajzat në këto zona të braktisura nga qeveria për hakmarrje politike./albeu.com/

Shtuar më 11/02/2017, ora 11:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori