Vokshi merr mbështetje për dekriminalizimin në forumin e grave të PPE
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi, mori pjesë në Forumin e Grave deputete të Partive Popullore Europiane në Varshavë, me temë “Roli i grave në forcimin e demokracive në Europën qendrore dhe lindore, një vlerësim i të kaluarës dhe së tashmes në çerek shekulli”.

Në konferencën e organizuar nga PPE dhe fondacioni Konrad Adenauer, merrnin pjesë eurodeputete, deputete të vendeve anëtare, kryetarja e Forumit të Grave të PPE ish eurodeputetja Doris Pack, drejtuese të forumeve politike dhe gra personalitete të Europës Lindore.

Në fjalën e saj, Vokshi kërkoi mbështetjen e kolegeve në Parlamentin Europian dhe të vendeve të tjera për dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve shqiptare, si një kauz jetike dhe si domosdoshmëri për forcimin e shtetit të së drejtës dhe integrimit europian të vendit.

Vokshi u shpreh se në betejën e dekriminalizimit të shtetit, Partia Demokratike është përfshirë me seriozitet dhe angazhim të jashtëzakonshëm dhe po drejton një komision parlamentar të posatçëm dhe se deputetet gra kanë një rol thelbësor.

“Nuk mund të ketë zhvillim, progres dhe të ardhme europiane, nëse qeveria dhe deputetët janë të kapur nga interesa kriminale dhe mafiozë. Ata mbajnë peng aspiratat e shqiptarëve per progres”, tha Vokshi.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, një prezantim të gjerë të sfidave dhe rolit historik të grave në shtetformimin shqiptar, sakrificat vetëmohuese të tyre si nëna dhe bashkëshorte në diktaturë, kalvari i gjatë i persekutimeve, pushkatimet me dhe pa gjyq ndaj grave intelektuale dhe të shtresave të ndryshme. Vokshi njohu deputetet e djathta europiane me nismën ligjore të PD për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare si një proces i rëndësishëm për shkëputjen nga e kaluara më e errët dhe më e vuajtur që një vend ka patur në Europë.

“Mazhoranca aktuale e rrëzoi nismën duke e refuzuar me forcën e kartonave shkëputjen nga e kaluara kriminale”, tha Vokshi, e cila shtoi se qeveria mbështet një draft ligjor të cunguar, aspak në funksion të pastrimit të shtetit nga zyrtarët e ish diktaturës, apo gjyqtarët e atij sistemi.

Deputetja Vokshi tha se edhe pse kanë kaluar 25 vite demokraci, gratë dhe vajzat në Shqipëri vuajnë privime të mëdha ekonomike, sociale, punësimi dhe të drejta njerëzore për shkak të diskriminimit dhe braktisjes nga qeveria dhe mazhoranca e kapur nga krimi dhe monopolet.

Vokshi shtoi se në zgjedhjet lokale, përfaqësimi në rritje i grave dhe vajzave në drejtimin e bashkive dhe këshillave bashkiakë me 50%, do të rrisë cilësinë e vendimarrjes në pushtetin lokal. /albeu.com/

Shtuar më 18/04/2015, ora 16:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori