"Vokshi", KMDLNJ: Policët vepruan sipas ligjit
Pëlqej
Albana Vokshi
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) njoftoi sot se policët e Kosovës kanë vepruar krejtësisht në përputhje me ligjin dhe se ata janë fyer rëndë nga deputetja Vokshi.

Në njoftimin e KMDLNJ-së po ashtu thuhet se Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prizren ka vepruar në përputhje me ligjin.
"E dënuar për fyerje, arrogancë dhe kërcënim ndaj personave zyrtarë! KMDLNj del në mbrojtje të fuqishme të policëve të suspenduar dhe kërkon që ata menjëherë të kthehen në vendet e tyre të punës nga janë suspenduar me vendim politik! Pezullimi i policëve të Policisë së Kosovës për KMDLNJ-në paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut. KMDLNj kërkon që të hetohet rasti i suspendimit të policëve dhe të ndërmerren masa ndaj të gjithë atyre që janë përgjegjës për pezullimin e tyre!", thuhet në komunikatë.

Sipas Këshillit, ky rast, i ka shqetësuar jo vetëm personat e përfshirë në të, por edhe shumë funksionarë e titullarë të Shqipërisë dhe Kosovës, duke shtuar se "shqetësimi i udhëheqësve të Shqipërisë dhe Kosovës jo vetëm që është i paarsyeshëm por është krejtësisht i panevojshëm dhe ndërhyrës".

"Është skajshmërisht e pakuptimtë që në njërën anë të kërkohet nga policët ta respektojnë ligjin ndërsa në anën tjetër të dënohen pse e kanë zbatuar ligjin me përpikëri të plotë! Deputetja Albana Vokshi në kohën kur ka tentuar ta kaloi kufirin nuk ka pasur imunitet diplomatik dhe as që është dashur të trajtohet si e tillë sepse ishte në vizitë private dhe kishte sjellje shumë jonjerëzore", thuhet në komunikatën e Këshillit.

Më tej, sipas KMDLNJ-së, deputetja Albana Vokshi i detyrohet një falje publike Policisë së Kosovës në përgjithësi dhe policëve të suspenduar në veçanti si dhe opinionit kosovar.

"Eprorët e Policisë së Kosovës duhet t'i marrin në mbrojtje policët e tyre sikur ata amerikanë ndërsa politikanët kosovarë duhet të veprojnë si Barack Obama dhe të kërkojnë falje në rast kur kanë gabuar".
Shtuar më 29/11/2010, ora 11:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori