Vokshi: Beqaj në fushatë tenderash, kanceri i gjirit është rritur
Kryetarja e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Albana Vokshi, deklaroi sot nga Shkodra se Ministria e Shëndetësisë nuk ka akorduar asnjë buxhet për shërbimin e mamografisë dhe kujdesin shëndetësor për të prekurat me kancerin e gjirit.

Në një takim sensibilizues me gratë e Shkodrës organizuar nga lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë, Vokshi tha se Ministri i Shëndetësisë është në pikun e fushatës me tenderat e kompanisë së tij dhe të ashtëquajturat mamografi të lëvizshme shëtisin vetëm për propagandë televizive dhe nuk funksionojnë.

"Në dy vitet e fundit, referuar statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISHP, numri i rasteve të evidentuara me kancer gjiri është rritur ndjeshëm, viti 2015 kulmon në numrin e lartë të diagonzave me tumor. Sigurisht, kjo është e lidhur ngushtë më rritjen e varfërisë, stresit, papunësisë.

Kjo është një qeveri që shkakton kancer. Shumë gra dhe vajza ende pas një viti, nuk kanë marrë përgjigjen e mamografisë”, tha Vokshi. “Nga premtimet e gënjeshtërta për shëndetësi falas, pas dy viteve kemi rezultat vetëm dosjen e korrupsionit dhe krimit në shëndetësi”.

Vokshi kërkoi rritjen e sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit dhe i bëri thirrje kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë të lënë mënjanë retorikat, por ti kushtojnë më shumë vëmendje dhe të alokojnë më shumë fonde për shëndetin e grave e sidomos kurimin e sëmundjeve që prekin ato.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ‎foli per rendesine e rritjes se sensibilizimit per kancerin e gjirit. Ademi u angazhua ne hapjen e Departamentit te shendetit publik ne Bashkine Shkoder per te adresuar problemet e shendetit te grave dhe vajzave.

Çdo vit në Shqipëri humbin jetën mbi 200 gra të diagnostikuara me kancer gjiri, 700 gra të prekura në vit. Statistikat rriten, për shkak se shumë gra dhe vajza në pamundësi ekonomike nuk mund të kryejnë diagnostifikimin e mamografisë dhe kurimin e sëmundjes. /albeu.com/

Shtuar më 23/10/2015, ora 16:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori