Voga: Prokurori po e përdor djalin tim si të fortë, e pagoi të dhunojë avokatin
Pëlqej
Kadri Voga, babai i Mondi Vogës i shpallur në kërkim nga policia si autor i dhunës ndaj avokatit Ilia Ilia ngre akuza të rënda ndaj Prokurorit Arian Ndoj.

Ai pranon se ka qenë djali i tij që ka dhunuar avokatin por thotë se është shtyrë nga një prokuror kriminel.

Ai kërkon nga organet të zbardhin ngjarjen ndërsa paralajmëron vetëgjyqësi. Organet e drejtësisë të zbardhin çështjen.

“Ngjarja e ndodhur në Durrës ndaj avokatit Ilia Ilia është një ngjarje e rëndë, ngjarje e pazakontë dhe këto veprime për mua janë të dënueshme dhe unë dënoj ashpër veprimin e djalit tim Mond Voga, i cili ka kryer këtë akt të shëmtuar ndaj avokatit të nderuar Ilia Ilia.

Avokatit, familjes së avokatit, të afërmve të tij si dhe opinionit publik i kërkoj falje në emër të familjes për arsye se djali im nuk ka qenë i tillë dhe nuk është i tillë por është i shtyrë nga një prokuror kriminel, hajdut, Arian Ndoj, i cili e ka shtyrë djalin tim për të kryer këtë akt të shëmtuar. Me këtë prokuror jam në gjyqe, ka 10 vjet.

E kam denoncuar për vjedhje, për korrupsion, për veprime antiligjore, kam bërë kërkesa, letra të gjitha instancave shtetërore deri në ambasadën amerikane për këtë prokuror por asnjë lloj veprimi nuk është marrë mbi të. Është një prokuror që është gabim në organet e drejtësisë. Është një prokuror që përkrah vetëm kriminelët.

Është një prokuror që ka gjetur djalin tim që e përdor për mashë, dhe e shtyn në krime, e përdor për të fortë dhe e përdori dhe me këtë veprim të avokatit të nderuar Ilia Ilia. Çuni im Mond Voga që e ka pas shok shkolle dhe gjithmonë i kam thënë që të largohet prej këtij personi se mua nuk më duket njeri i mirë.

Por ai nuk hoqi dorë nga Arian Ndoj. Arian Ndoj arriti të shtyjë djalin tim Mond Voga të masakrojë familjen e vet, vëllain, motrën, nënën. Arriti deri atë që e mori të gjithë pasurinë, lokalin që e kishim bërë familjarisht dhe sot ekziston në hipotekë tek familja e Arian Ndojës.

Ai e mori këtë duke bashkëpunaur fuqishëm me shokë të tij prokurorë dhe gjyqtarë, të pamoralë, të cilët i blente me lekë, mua më humbte gjyqin, fitonte Arian Ndoj.

Veprimet e kryera edhe ndaj Ilia Ilias, avokatit të nderuar që ndodhi para dy ditësh, me djalin tim Mond Voga, i cili i shtyrë nga Arian Ndoja, i kërkoj edhe njëherë falje publike, për arsye se unë nuk jam i atillë familje, nuk i kam mësuar fëmijët me këtë edukatë por vlen të theksoj dhe kërkoj nga organet e drejtësisë, kryesisht nga kryeministri i Shqipërisë kjo çështje të zbardhet deri më një, të thellohet edhe më tej ndaj Arian Ndojit, qoftë edhe ndaj djalit tim që është viktimë e Arian Ndojt, që është i paguar të zbardhet.

Në rast se nuk zbardhet unë me Arian Ndojin për veprimin që ka bërë ndaj avokatit Ilia Ilia që e ka shtyrë çunin tim për ta kryer këtë veprim, unë do bëj vetëgjyqësi", eshte shprehur Voga ne nje prononcim per BW.

Kamerat e sigurisë së një subjekti afër Prokurorisë së Durrësit fiksuan momentin e dhunimit të avokatit Ilia Ilia dhe kanë identifikuar si autorin kryesor, Mondi Voga.

Ky i fundit është shpallur në kërkim që ditën e ngjarjes, pasi vetë i dëmtuari ka arritur ta identifikojë atë që në momentin e parë dhe ta referojë emrin e tij në organin e hetimit si person që ka lidhje me prokurorin Arjan Ndoj.

Lidhja e prokurorit me agresorin e avokatit është konfirmuar tashmë edhe me foto mes tyre.

Për këtë shkak, Arjan Ndoj është person në hetim si i dyshuar se ka organizuar sulmin ndaj avokatit, me të cilin ishin konfliktuar keqas verbalisht një ditë para ngjarjes në një seancë gjyqësore. /albeu.com/
Shtuar më 21/07/2018, ora 11:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori