Me karrocë dhe i përlotur, i drejtohet Ramës: Turp të të vij ty

Në mesin e shqiptarëve që kanë dalë në ditët e fundit duke protestuar mbi rritjen e çmimeve, ka spikatur dhe një personazh nga Durrësi. Bëhet fjalë për Flamur Balën, me aftësi ndryshe, i cili ka qenë dhe ndër organizatorët e protestës në qytetin bregdetar. I ftuar në ‘Abc e Pasdites’, Bala foli në lidhje me indinjatën e tij dhe arsyet që e shtyn drejt revoltës qytetare. Si një person me aftësi ndryshe, ai shprehu se e ndjen detyrim moral të dalë në shesh dhe të kërkoj të drejtën për veten dhe qytetarët e tjerë.

“Kjo protest do të fundosë përgjithmon një ide që ne kemi si komb. Ideja e nënshtrimit.” – shprehu automekaniku për Abc News.

Protestat e zhvilluara prej 5 ditësh janë shoqëruar dhe me komente të kryeministrit Rama, i cili ka shprehur se veprimi i qytetarëve shqiptar është i turpshëm në një kohë kur bota po solidarizohet me luftën në Ukrainë. Si i përgjitet Bala kryeministrit?

“Turp të ketë ai në rradhë të parë. Pse të kemi turp? Pse nuk thotë ai bravo sepse jemi të parët në Europë që po reagojmë. Me vërte jemi komb që flejmë, por po reagojmë, na përket më shumë se jemi më të varfërit në Europë. Ne nuk jemi as në Europë që na krahason me ta, ne nuk jemi në BE.”

Flamuri nuk ngurroi të ndante me shikuesin edhe një përplasje virtuale më kreun e shtetit. Ai zbuloi se teksa i kërkonte të mos preheshin disa pemë në qytetin e Durrësit, u prit me ofendime nga z. Rama.

“Me Ramën unë kam pasur përplasje në telefon, sa ka arritur edhe më ka kërcënuar. E dijnë të gjithë, edhe vetë ai. Unë i kërkova si qytetar të mos i prenin pemët te vila e Zogut në Durrës, i shkruajta. Më thotë mëso kulturën dhe më shau, më tha bastard. Më ka revoltuar shumë sepse po ofendon qytetarët e tij në rradhë të parë. Por ne jemi krenar më shumë se kurrë.”

Por Flamuri ka një të shkuar plot vështirësi. I diagnostikuar me një problem muskular që në lindje, ai ishte i vetdijshëm që në një moment të jetës nuk do të mund të ecte më. Kjo ndodhi pikërisht në moshën 19 vjeçare, dhe njëkohësisht nuk pati mundësi të vazhdonte shkollën e mesme si pasojë e mungesës së infrastrukturës për personat me aftësi ndryshe.

“Nuk është lumturi të jesh me karrige me rrotë, as e lehtë nuk është. Unë e dija diagnozën dhe çdo vit vështirësohej ecja ime, e dija që do të përfundoja te karroca. Por jam djalë besimtar në Zot. Nuk e kam thënë kurrë ‘oh Zot pse më bëre mua?’ do të thuash jepja dikujt tjetër? Jo. Unë dal për të gjithë, e ndjej si për të gjitha familjet shqiptare.”

Ndonëse ai nuk u shkollua, mori zanatin e automekanikut. Falë kësaj dhuntie ai mësoi të modifikonte makina me kambio automatike që të mund të ngiten nga persona që tashmë jetën e ndajnë me karrocën.

“Tani mund të them se janë 50 makina që kam modifikuar. E kam pasion punën me makinat.” – shprehu Flamur Bala.


Shtuar 14.03.2022 18:19