Vodhën 530 milion dollar, kush është hakeri fierak që bashkëpunonte me rusët
Pëlqej
Një grup prej 36 personash, pjesë e të cilëve ishin edhe shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova kanë bërë kërdinë me vjedhje në kartat e kreditit të amerikanëve.

Grupi është zbuluar nga autoritetet amerikane, ndërsa gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe shqiptari 25vjeçar Aldo Ymeraj nga Fieri.

Më 7 shkurt të këtij viti, Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve ka publikuar emrat e 36 personave të akuzuar për mashtrim kibernetik dhe vjedhje. Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 36 personave, të përfshirë në një skemë globale të vjedhjes në internet, që kanë shkaktuar dëme prej 530 milionë dollarëve.

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, ndihmësprokurori i Përgjithshëm i ShBA-ve, John Cronan, deklaroi se autoritetet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit kanë arrestuar 13 persona nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Kosova dhe Serbia.

Grupi i quajtur "Infraud", ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar ukrainas dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.

Aktakuza e ngritur nga prokurorët amerikanë liston 117 vepra të kriminalitetit kibernetik nga anëtarët e këtij grupi të hakerave e që përfshin keqpërdorime me karta të kreditit dhe shitje të informacioneve të vjedhura në internet. Sipas prokurorëve amerikanë, ky grup hakerash funksionon prej 7 vitesh.

Në njoftimin e Departamentit të Drejtësisë thuhet se për arrestimin e të dyshuarve jashtë SHBA-ve, ka bashkëpunuar me institucionet e vendeve përkatëse, përfshirë këtu edhe Shqipërinë e Kosovën.
Shtuar më 13/02/2018, ora 10:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori