Kontrollet në Fushëkuqe, Klodiana Lala: Policia po “hiqet” sikur Ervis Martinaj është gjallë

Gazetarja Klodiana Lala është shprehur se operacioni i Policisë së Shtetit që është zhvilluar në banesat e familjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj sot, tregon që i zhdukuri prej 9 gushtit, mund të jetë gjallë. E ftuar në “News24”, Lala tha se policia po ‘hiqet’, po u lë njerëzve të kuptojnë se ai është ende gjallë, kur sipas saj, ende nuk kanë asnjë të dhënë ku bazohen. Lala tha gjithashtu se prokuroria ka tërhequr dosjen e atentatit ndaj Ylli Ibrahimit dhe po përpiqen të bëjnë lidhjen e dosjeve.

“Për mua nuk ishte surprizë, duke qenë një zonë si Fushëkuqja, policia prej vitesh e ka pasur shumë të vështirë të hyjë, më kujton fshatin Zezë në Nikël. Sot duhet të themi dhe diçka, nëse deri më tani ka pasur vetëm një hetim, fakti që është shkuar në banesë ka pasur diçka. Policia po lë përshtypjen sikur ai është gjallë, por hiqet, këtë përshtypje të jep. Këto veprime hetimore duhet të ishin bërë që në gusht, ndaj mendoj që ka një arsye shumë të fortë. Prokuroria ka tërhequr dosjen e atentatit ndaj Ylli Ibrahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Kjo sepse një nga të dyshuarit ka dalë në një tjetër përgjim. Po përpiqet të lidhen dosjet,”- tha Lala ndër të tjera.

Sot, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj.