Vodafone, nga të parat kompani në botë me politikë përkrahëse për punonjësit e prekur nga dhuna në familje
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Vodafone Albania prezanton për herë të parë në Shqipëri një politikë që përfshin përkrahjen dhe mbështetjen e punonjësve të prekur nga dhunafamilje, duke u bërë pjesë e fushatës së Vodafone Group kundër dhunës dhe abuzimit në familje.

37% e punonjësve të industrive të ndryshme janë prekur nga dhunafamilje. Ky është një nga rezultatet e studimit që Vodafone Foundation ka ndërmarrë në bashkëpunim me qendrën “Opinium” në Mbretërinë e Bashkuar. Studimi përfshiu 4,712 gra, vajza, djem dhe burra nga 9 vende të botës.

Midis të tjerave, nga studimi rezultoi se 67% e atyre që kanë përjetuar dhunë, shprehen se kjo gjë ka prekur progresin e tyre në karrierë dhe 51% prej tyre shprehen se nuk ndihen komodë për ta diskutuar këtë gjë në mjedisin e punës. Megjithatë, 53%, e atyre që e kanë diskutuar me kolegët, thanë se ishin ndjerë më mirë.

Nisur nga ky studim, por edhe në vijim të angazhimit ndaj punonjësve dhe komunitetit ku operon, Vodafone ka prezantuar politikën e re të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore që fokusohet pikërisht tek dhunafamilje. Të gjithë punonjësve, në 25 vendet ku Vodafone operon, përfshirë Shqipërinë, do t’u ofrohet mundësia që të marrin mbështetje dhe këshillim të dedikuar. Njëkohësisht, atyre do t’u jepen 10 ditë leje të paguara si dhe leje “ekstra” për të ndjekur seancat gjyqësore, ose për të qëndruar pranë fëmijëve të tyre.

Pjesë e politikës është dhe trajnimi i specializuar që do të marrin menaxherët e burimeve njerëzore në mënyrë që të fitojnë aftësitë për të mbështetur viktimat e dhunës në familje si dhe për t’i nxitur ata të raportojnë.

Prezantimi i kësaj politike të re e rendit Vodafone si një nga kompanitë e para në nivel global që i dedikon një politikë përkrahëse këtij fenomeni social, që edhe në vendin tonë kap shifra të konsiderueshme të prekurish.

Me anë të kësaj fushatë që nuk do të ndalet vetëm me politikat përkrahëse për viktimat e dhunës në familje, Vodafone synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi rëndësinë e barazisë gjinore, mosdiskriminimit, mbrojtjes dhe respektit për dinjitetin, të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe ofrimin e mundësive të barabarta në karrierë për këdo, pavarësisht gjinisë, rracës, bindjeve, preferencave apo orientimit seksual.

Vodafone ka bindjen se fuqizimi i gruas dhe promovimi i barazisë gjinore i jep mundësinë komunitetit, ekonomisë dhe bizneseve të zhvillohen. Për këtë arsye, barazia gjinore dhe mundësitë e barabarta janë thelbësore në politikat e burimeve njerëzore në Vodafone. Kjo iniciativë i shtohet listës së gjatë të iniciativave dhe programeve që Vodafone ia dedikon fuqizimit të grave dhe promovimit të barazise gjinore. Programe si Reconnect, Code like a Girl, Politika e Lejes së Lindjes, etj. janë shembull i angazhimit të Vodafone në komunitetet ku operon.
Shtuar më 08/03/2019, ora 14:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori