Vodafone krah alpinistëve shqiptarë për të “pushtuar” shtatë majat e botës
Vodafone Albania njoftoi se do të jetë krah alpinistëve shqiptarë si një nga sponsorat kryesorë të ngjitjes së majës Denal në Alaskë. Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania Dietlof Mare dhe stafi i kompanisë Vodafone u takuan dje me alpinistët shqiptarë për t’iu konfirmuar mbështetjen dhe uruar atyre sukses në aventurën e radhës.

Pas ngjitjes së flamurit shqiptar në “çatinë e Botës” Everest vitin e kaluar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, tashmë Alpinistët shqiptarë po synojnë majat e tjera më të larta të botës në kuadrin e nismës “Seven Summits”, që në botën alpinistike ka kuptimin e ngjitjes së majës më të lartë të secilit prej shtatë kontinenteve të tokës.

Tre prej alpinistëve të shoqatës Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana, Iglin Shyti, Gerti Pishtari dhe Gjergj Bojaxhi u nisën sot për në kryeqytetin e Alaskës, Anchorage për të ngjitur majën Denali (6.195 m) dhe vendosur atje flamurin shqiptar. Maja Denali apo Mc Kenly, është maja më e lartë në Kontinentin e Amerikës Veriore.

Mali i Denalit në Alaskë konsiderohet si mali që shënon temperaturat më te ulta në planet, nën -55°C. I ftohti ekstrem, erërat e forta dhe lartësia prej 6195 m mbi nivelin e detit e bën ngjitjen e tij një sfidë tërheqëse për ekipin e alpinistëve shqiptarë.

Për realizimin e synimit të vënë, ekipi do të bashëpunojë me Shkollën e Alpinizmit të Alaskës dhe pritet që të sulmojë majën në fund të këtij muaji ose në ditët e para të muajit Korrik.
Shtuar më 12/06/2013, ora 11:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori