Vocaj-Rames: Zhbllokoni bulevardin
Albeu.com
Në vijim të letrave drejtuar kreut të PS-së, Edi Rama, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i ka kujtuar edhe një herë Ramës ligjin për tubimet. Në letër thuhet se "Ju rikujtojmë se ligji për tubimet nuk lejon zhvillimin e tyre disa ditore.
Dhe në zbatim të nenit 5 të ligjit ju kemi sqaruar se çdo ditë tubimi ju duhet të dërgoni në drejtorin e policisë së qarkut njoftim më vete, gjë që kjo nuk ka ndodhur". Më tej Vocaj vazhdon se "mosdërgimi i njoftimit përben vepër penale e cila parashikohet nga neni 262 i Kodit Penal".

Në letër thuhet se bllokimi i bulevardit "Dëshmorët e Kombit" ka cënuar trafikun në Tiranë si dhe shumë kryqëzime kanë pasur ngarkesë tej normave.
"Ditët e fundit protestuesit janë grumbulluar në pika të ndryshme të Tiranës dhe nga aty lëvizin drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe për këto nuk është njoftuar policia gjë që ka sjellë edhe prishje të qetësisë publike", thuhet në letrën e drejtorit të policisë së Tiranës drejtuar kreut të PS.
Ndërkohë në fund të letrës Vocaj i ka rikujtuar edhe një herë Ramës kërkesën për zhbllokimin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Shtuar më 13/05/2010, ora 15:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori