Vlorë, Rama inspekton aksionin e INUK
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar mesditën e sotme aksionin e INUK në Vlorë, për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet. Mësohet se shefi i qeverisë shoqërohej nga kreu i INUK, Zyhdi Dajti dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

INUK ka vazhduar edhe gjatë fundjavës në Vlorë aksionin për prishjen e dhjetëra objekteve përgjatë vijës bregdetare, por dhe sipër rrugës nacionale. Dje në mbrëmje aksioni u shtri në zonën e Aulonës, me prishjen e disa objekteve disa katshe që ishin ngritur atje prej disa vitesh.

Operacioni i shembjeve dhe lirimit të hapësirave nga ndërtesat, është ndjekur nga vetë kreu i INUK Zyhdi Dajti, ndërsa të pranishëm kanë qenë efektivë të Policisë së Shtetit, FNSH-së dhe Policisë Rrugore, e cila ka bërë devijimin e qarkullimit të automjeteve në të tjera akse.

Deri më tani, nga INUK janë prishur 60 objekte, si lokale, restorante, bare, banesa, diskoteka, karburante dhe tenda, kryesisht poshtë pallateve. Zyrtarë të INUK thonë se deri në fund të vitit do të prishen të gjitha objektet pa leje në Vlorë.

Ndërsa do të ketë një tjetër fazë brenda këtij viti për prishjen e atyre objekteve, dokumentacioni i të cilave është ende në shqyrtim, nëse do të vërehen shkelje. /albeu.com/
Shtuar më 17/11/2013, ora 14:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori