Vendimi i Kushtetueses vonohet? Gjykata ka gjasa ta vazhdojë pezullimin e dekretit të Thaçit

Pritja e partive politike dhe opinionit për verdiktin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit Thaçi që mandaton Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër, mund të mos marrë fund as më 29 maj, atëherë kur edhe përfundon masa e pezullimit të këtij dekreti. Kushtetuesja këtë masë mund ta vazhdojë edhe për pak kohë, nëse nuk është arritur shqyrtimi i të gjitha fakteve.

29 maji mund ta gjejë Kosovën pa një verdikt final dhe qartësim nga Kushtetuesja sa i pëket dekretit të presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër.

Komentet voluminoze të dërguara nga palët e përfshira në këtë rast, mund ta shtyejnë edhe për disa ditë verdiktin final të Kushtetueses, pra deri sa kjo e fundit t’i shqyrtojë të gjitha këto fakte, dhe kushtetutshmërinë e këtyre pretendimeve.

Këtë e konfirmon edhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu.

Sipas tij, Gjykatës i duhet kohë për të shqyrtuar të gjitha komentet shtesë, përveç materialit bazë dhe atij fillestar.

“Mundet të shtyhet, nëse i duhet kohë shtesë. Ajo ka të drejtë që ta vazhdojë masën pezulluese. Pra përveç materialit fillestar të sqarimeve dhe komenteve që ka pasur njëra palë, në këtë rast pra presidenca, pra janë dërguar edhe 200 faqe tjera, për të cilat duhet kohë. Gjykata ka përgjegjësi në këtë rast, dhe mund të vazhdohet me masën pezulluese”, thotë Baraliu për lajmi.net.

Nga ana tjetër, nga Kushtetuesja nuk e mohojnë mirëpo as pohojnë se mund të ketë shtyerje të masës pezulluese ndaj dekretit të presidentit.

Në një përgjigje për lajmi.net, Kushtetuesja thotë se është duke e shqyrtuar me prioritet këtë lëndë, dhe se vendimi do të meret vetëm pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të prentendimeve të palëve të interesit.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar me prioritet nga Gjykata. Vendimi meritor përkitazi me kërkesën në tërësi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palëve të interesit”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për lajmi.net.

E duke parë praktikat e deritanishme të Kushtetueses, ka shumë gjasa që masa pezulluese të vazhdohet edhe për pak kohë, njësoj siç ky organ ligjor kishte vendosur për Ligjin e Pagave.

Arsyeja e kësaj shtyerje sipas Gjykatës kishte të bënte me faktin që Gjykata, pas caktimit të masës së përkohshme, ka pranuar një vëllim të konsiderueshëm të dokumenteve dhe të komenteve të dorëzuara nga palë të ndryshme të interesuara, të cilat duhet të trajtohen në raport me pretendimet e ngritura dhe me dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore.

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka arritur marrëveshje koalicioni me Nismën, AAK-në dhe Listën Serbe për bashkëqeverisje.

Sidoqoftë, deri tani ky subjekt politik nuk i ka bërë ende të ditur emrat e ministrave të ri, teksa siç kanë deklaruar zyrtarë të kësaj partie, një çështje e tillë nuk është diskutuar ende.


Shtuar 21.05.2020 16:14