Vëllai i shkrimtarit: Si e refuzoi Dritëro Agolli, Berishën për t’u anëtarësuar në PD
Vëllai i Dritëro Agollit, Tajari, tregon për marrëdhëniet mes shkrimtarit dhe Ismail Kadaresë, arsyet e ftohjes mes tyre, pas emërimit të Dritëroit në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

As Dritëro Agolli nuk i ka shpëtuar survejimit nga Sigurimi i Shtetit në vitet e para pas ndarjes nga bashkëshortja e tij ruse, Nina, përmes informatorëve që vetë Tajari i ka gjetur poshtë pallatit.

Në rrëfimin e tij vëllai i Dritëroit jep edhe një fakt që nuk është bërë publik, refuzimin e ftesës së Sali Berishës që Dritëroi të bëhej pjesë e Partisë Demokratike pas fitores së zgjedhjeve të para demokratike.

Si janë njohur dhe si ka qenë martesa e Dritëroit me Sadijen?
Dritëroi dhe Ismaili i jepnin mësim grupit të gazetarisë. Në këtë grup ishte edhe Elena Kadare dhe Sadija, dhe ishte Elena që u bë sebep që ata të bashkoheshin.

Organizuan një mbrëmje vallëzimi në shtëpinë e një shkrimtari, Nonda Bulkës më duket, dhe shkoi atje edhe Dritëroi. Atje u njohën dhe u afruan, filluan të takohen dhe pas tre vjetësh që ishte ndarë nga Nina, Dritëroi u martua me Sadijen. Shkuam unë me Dritëroin dhe nënën, dhe e morëm Sadijen në Shkodër.

Sadija ishte shumë e mirë, i ka ndenjur Dritëroit mbi kokë gjithë jetën, si në krijimtari, ashtu edhe në jetën bashkëshortore. Dritëroi bëri zgjedhjen e duhur me Sadijen. Në muajt e parë të martesës, babai nuk e kuptonte mirë shkodrançen e Sadijes dhe i thotë Dritëroit: “Ah mor djalë, nuk hoqe dorë nga të huajat, të huaj e kishe të parën, të huaj edhe të dytën, nuk e kuptojmë fare gjuhën”.

Ju keni qenë ushtarak. Botimi i romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ju krijoi probleme?

Jo, ai është pritur shumë mirë dhe pati shumë vlerësime. Mehmet Shehu nuk e ka kritikuar.

Ju ka treguar Dritëroi shqetësime që i kishin ardhur nga “Zyloja”?

Jo, jo, aspak. Dinte Dritëroi si t’u përgjigjej. Por Dritëroit nuk i rrinte dhe goja rehat. Mbaj mend që jemi nisur një herë për në Ersekë, ishte viti 1984. Ishte vënë një rregull në atë kohë që anëtarët e Komitetit Qendror në udhëtime të gjata duhet të kishin si shoqërues edhe një ushtarak.

Dritëroi tha kam vëllanë unë, do të vijë ai me ne dhe s’ka nevojë të vijë tjetër njeri. Në makinë ishte Teodor Laço, ishte kryetari i degës së Pikturës në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe dy të tjerë, nuk më kujtohen emrat.

Kur zbresim nga Krraba në Bradashesh, në Elbasan, vraponin në fushë disa gomarë. Ishte koha e tufëzimit të bagëtive, kur shteti ua mori fshatarëve për t’i tufëzuar në kooperativë. Ishte një vendim i Mehmet Shehut që u kritikua shumë më vonë. “Shikoni,- tha Dritëroi,- si ikin me vrap gomarët, azdisen se hanë tani ushqimin e lopëve që janë futur në kooperativë. Në vend që t’i lënë fshatarit lopën, i kanë lënë gomarin që vetëm një punë bën, vetëm ngarkohet, asgjë tjetër”, tha Dritëroi.

Unë i rashë në këmbë, se ne ushtarakët jemi më striktë, më të përmbajtur nuk flisnim pa dorashka. Ai ma shtynte këmbën, më lër rehat më thoshte. Shkuam në Shtëpinë e Pritjes në Ersekë për të fjetur. Aty ajo punëtorja e shërbimit i thotë Dritëroit: “Të keqen nëna, ju të rinjtë jeni të mirë, s’keni pretendime”.

Ajo tregonte se kur shkonte Petrit Dumja atje, kërkonte që në katin e sipërm të vinte një njeri që të tundte dybekun për të bërë dhallë që ta ndiente zhurmën e t’i dukej se ishte në fshat. Dritëroi i mbajti shënim ato që tha ajo, por nuk shkroi gjë. Kur u kthyem, i thashë Dritëroit mos fol më ashtu se do na marrësh në qafë mua dhe familjen. “Unë them vetëm të vërteta,- më tha Dritëroi,- por mbaje mend se kjo punë nuk shkon më shumë se 10 vjet, për 5¬6 vjet gjërat do të ndryshojnë në Shqipëri”.

E ka thënë Dritëroi këtë që në 1984?

Po, po, që atëherë. Bo bo, thashë unë me vete, ky do të na marrë të gjithëve më qafë. Do të na internojnë si fis.

Çfarë qëndrimi kishte Dritëroi për luftën e klasave, është diskutuar ndonjëherë mes jush?

Dritëroi ishte kundër luftës së klasave. Ai e kishte përjetuar vetë me rastin tim, që për të shkuar me studime në Bashkimin Sovjetik më përmendnin kohën kur babai ishte kryeplak i fshatit para Luftës dhe jo atë që kishte qenë kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar dhe dy xhaxhallarët, partizanë.

Dritëroi i botoi shkrimet e mbesës së Abaz Kupit në gazetë. Dritëroi ka ndihmuar për në shkollë të lartë edhe Preç Zogajn, i cili e deklaroi vetë me qytetari të plotë, por edhe Mark Markun. “Kur arrestohej ndonjë shkrimtar apo artist, ne,¬ më thoshte Dritëroi,¬ e merrnin vesh të fundit, nuk na pyeste njeri, sepse raportet i bënin kalecët (informatorët e Sigurimit të Shtetit)”. Madje unë vetë kam kapur njërin që survejonte te shtëpia e Dritëroit.

Cili ishte?

Ishte një oficer me të cilin unë luaja bilardo në Shtëpinë e Oficerëve. Baxhur e kishte emrin dhe e shoh te pallati i Dritëroit. “Baxhur,- i them,- çfarë do ti këtu?!”. Ai sa më pa mori qëndrim gatitu sepse unë isha kapiten i parë dhe ai nëntoger. “Kot,- më tha,- bëj shëtitje. Nuk është e vërtetë,- i thashë,- ti po survejon vëllain tim, ndërkohë që unë jam oficer me gradë. Të Mos të të shoh më këtu,- i thashë,- se do t’i kesh punët pisk nëse të shoh më këtu”. Dhe nuk e pashë më.

Çfarë viti ka qenë?

Nga viti ‘64¬‘65, pasi kishte ikur Nina për në Bashkimin Sovjetik. Ndoshta ka qenë frika se mos Dritëroi ka pasur ndikime nga e shoqja ruse dhe survejonin cilët njerëz hynin dhe dilnin në shtëpinë e tij. Dritëroi ishte kundër luftës së klasave dhe madje tregonte dhe anekdota ndaj saj. Ai ishte kundër edhe për tufëzimin e bagëtive.

Çfarë marrëdhëniesh ka pasur Dritëroi me Sali Berishën, çfarë ju ka treguar?

Kur ka shkuar Enver Hoxha në Tropojë ka shkuar edhe Dritëroi dhe shkuan në shtëpinë e Sali Berishës.

Përse kanë shkuar në atë kohë në shtëpinë e Berishës, ai nuk ishte i njohur në atë kohë?

Siç më ka treguar Dritëroi më vonë, vëllai i Saliut ishte kryetar kooperative, ndërsa vetë Saliu ishte nxënës.

Kur e pyeti Dritëroi babain e Saliut se si shkon jeta dhe punët atje, babai i Saliut i tha Dritëroit që dua që djalin ta çoj në shkollë të lartë se është nxënës shumë i mirë. Dritëroi e mbajti shënim këtë.

Por gjatë periudhës që Dritëroi ka qenë në parlament, Saliu nuk e ka sulmuar ashpër. Ajo që më bëri përshtypje ishte mungesa e Sali Berishës në homazhet për Dritëroin sepse ata kanë pasur një lloj miqësie. Vetë Saliu në 1992, pas fitores së zgjedhjeve të para demokratike, e ftoi Dritëroin që të bëhej pjesë e Partisë Demokratike.

Saliu i tha që ti je shembull për demokracinë. Dritëroi u ngrit dhe tha se unë jam mirë aty ku jam sepse kritikoj edhe majtas, edhe djathtas. Po të jem këtu dhe të kritikoj të djathtën, juve do t’u mbetet hatri dhe do të më kujtoni: Je anëtari i Komitetit Qendror të PPSH¬së, ndërsa atje s’ma thonë këtë gjë./Panorama/


Shtuar më 03/03/2017, ora 09:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori