Vjenë: Vazhdojnë bisedimet shqiptaro-serbe
Pëlqej
Albeu.com
Në Vjenë sot vazhdojnë bisedimet e drejtpërdrejta në mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e decentralizimit.Siç është paralajmëruar, sot në rend dite pritet të jenë bartja e përgjegjësive të policisë, gjyqësisë, shërbimeve publike dhe ndërmarrjeve shtetërore.

Bashkësinë ndërkombëtare në takim, përveç zëvendësnegociatorit Albert Rohan, e përfaqësojnë edhe i dërguari i BE-së, Stefan Lehne, një përfaqësues i Shteteve të Bashkuara dhe dy përfaqësues të UNMIK-ut. Zyrtarët nga të dyja palët ose ndërmjetësit ndërkombëtar, do të mbajnë konferencë për media sot rreth orës 13.00.

Zyrtarët kosovarë e serbë takohen në Vienë
Në Vjenë të Austrisë kanë filluar bisedimet shqiptaro-serbe mbi çështjen e decentralizimit.

Pala kosovare dhe ajo e Serbisë kanë ofruar platformat e tyre për bisedime rreth çështjes se decentralizimit.

Delegacioni i Kosovës pritet të mbrojë qendrimin për një shtet të pavarur të Kosovës, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët dhe mohon çdo mundësi të ndarjes së Kosovës mbi baza etnike.

Kryetari i delegacionit shqiptar Lutfi Haziri thotë bashkësia ndërkombëtare mbështet pavarësinë për Kosovën.

"Në vazhdën e deklaratave që janë bërë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, pavarësia, në mos zgjidhja e vetme, është njëra nga zgjidhjet e qëndrueshme në përputhje me vullnetin e shumicës, duke përfshirë edhe grupet e tjera etnike në Kosovë," tha zoti Haziri.

"Beogradi edhe më tutje mbetet në pozicionin e formulave të vjetra," tha ai.

Pala serbe pritet të paraqesë një plan për një autonomi më të madhe për serbët në Kosovë dhe lidhje të drejtpërdrejta të komunave të reja serbe me Beogradin zyrtar.

Këshilltari i kryeministrit serb, Vojoslav Koshtunica, Sllobodan Samarxhiq, se Beogradi vjen në takim me një qëndrim të mirë.

"Ajo përfshin atë që është dashur t’i përgjigjet tezës së përsëritur disa herë nga Ahtisaari për parashikimin e tij për pavarësinë e Kosovës," tha zyrtari serb.

"Kjo nuk është detyrë e tij ... ai nganjëherë humbet dhe jep deklarata të pamenduara," tha zoti Samarxhiq.

"Nëse e vazhdon këtë, unë nuk mendoj se mund të jetë njeriu i duhur që mund të ndërmjetësojë këto bisedime. "
bbc/rtk/albeu
Shtuar më 21/02/2006, ora 11:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori