Vjenë: Enver Hoxhaj “nokautoi” këshilltarin serb Coen
Pëlqej
Albeu.com
Në ditën e parë të bisedimeve delegacioni kosovar shprehet i kënaqur. Serbët duken më nervozë. Ndërsa në një rast, pas një replike me Enver Hoxhajn, këshilltari zviceran i delegacionit serb u ngrit dhe iku. Intervenimi në disa raste i Albert Rohan u cilësua pozitivisht nga anëtarët e delegacionit të Kosovës.Në pallatin Daun - Kinski të Vjenës së Austrisë shqiptarët dhe serbët e kaluan disi të hënën, në takimin e parë të bisedimeve direkte në vazhdën e procesit për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Në bisedimet direkte ndërmjet delegacionit të Prishtinës dhe atij nga Beogradi për decentralizimin në Kosovë, Martti Ahtisaari është shprehur se takimi ka qenë konstruktiv. Megjithatë, nuk ka pasur shtrëngim duarsh.
Ahtisaari është takuar fillimisht me delegacionet 8-anëtarësh, ndërkaq negociatat, që filluan pak pas orës 10.00, i ka drejtuar zëvendësi i tij, Albert Rohan.
Përveç tij, bashkësinë ndërkombëtare e përfaqësuan në takimin e së hënës edhe i dërguari i BE-së, Stefan Lehne, përfaqësuesi i SHBA-ve, Frank Wisner, një përfaqësues i NATO-s dhe dy përfaqësues të UNMIK-ut. “Kemi ardhur të përgatitur mirë dhe sot jemi të fokusuar në agjendën e takimit. Dëshirojmë që bisedimet për statusin të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Pavarësia e Kosovës po vjen dhe ne jemi duke luajtur një rol pozitiv”, deklaroi të hënën kryesuesi i delegacionit kosovar, Lutfi Haziri.
Për takimin e së hënës, i cili ka zgjatur deri në orën 17.00, dy delegacionet, siç është paralajmëruar, kanë diskutuar mbi bartjen e pushtetit në shëndetësi, arsim, kulturë dhe në çështjet sociale, mirëpo sipas marrëveshjes paraprake të dyja palët e kanë pasur të ndaluar të flasin për media. Kurse në ditën e dytë ata do të bisedojnë mbi bartjen e përgjegjësive të policisë, gjyqësisë, shërbimeve publike dhe ndërmarrjeve shtetërore. Duhej të zotëronte heshtja para mediave. Në ditën e fundit është parashikuar një konferencë me gazetarë.

Burimet nga brenda tregojnë për nervozizmin e palës serbe

Në kohën e mëngjesit, delegacioni shqiptar është vizituar nga Ahtisaari. Shkurt dhe qartë, ai sjell mesazhin: bëhuni seriozë dhe me punë dëshmojeni arritjen e qëllimit të vendit tuaj.
Fjala kryesore që u përdor në bisedë ishte “minoritetet”. Nga burimet e “Lajmit” brenda takimit merret vesh se delegacioni serb është ndjerë shumë i prekur nga vlerësimet e Ahtisaarit në “Der Speigel”, i cili parashikon se zgjidhja e statusit përfundimtar do të jetë pavarësi për Kosovën. Ka pasur edhe kërcënime se nëse ai vazhdon kështu do të kërkohet largimi i tij nga posti i drejtuesit të bisedimeve. Për shumë vëzhgues perëndimorë, bisedimet e filluara në Vjenë nuk do të sjellin diçka të rëndësishme. “Shqiptarët do ta fitojnë sovranitetin e tyre pas një faze kalimtare, të përcjellë nga vëzhgimi i plotë ndërkombëtar. Prandaj, çështja është te decentralizimi i pushtetit lokal. Për këtë kanë filluar bisedime në Vjenë”.
Anëtarët brenda delegacionit, me kushte anonimiteti, shprehen të kënaqur. Disi edhe të lehtësuar. Ata kishin përshtypjen se serbët e kishin të vështirë ta mbronin planin e tyre të paraqitur në letër. P.sh. këshilltari i presidentit serb kishte pyetur nëse mund që shqiptarët ta njohin një universitet serb në Kosovë. Enver Hoxhaj kishte reaguar: Ju dukeni se nuk jeni as të informuar se një universitet i tillë që nga viti 2003 është i legjitimuar. “Hoxhaj kishte polemizuar edhe me këshilltarin zviceran të delegacionit serb, duke i thënë se ‘mu ajo qeveria e juaj zvicerane, që ka traditë demokratike me kantone po e përkrah pavarësinë e Kosovës””, tregon një burim ndërkombëtar, për polemikën e zhvilluar brenda takimit. “Pas kësaj polemike, këshilltari zviceran Coen iku nga salla”.
Një anëtar i delegacionit serb ishte sjellë në një moment si në kafenetë e Beogradit, kur e kishte fyer Klarisën, një austriake që punon në administratën ndërkombëtare. Ai i mllefosur, pse nuk mundnin t’i arsyetonin planet e tyre të shkruara në letër, e kishte quajtur këtë zonjë ‘albanska kurva’ (lavire shqiptare)”.

Një arsye më shumë për shtet

Nuk është vetëm kujtesa që të rikthen te Konferenca e Rambouillet-it. Është një realitet ende jo i ndryshuar që të bën të mendosh se çka do të thotë të jesh pa shtet. Ishte ora 19.00, të dielën, kur në Aeroportin e Vjenës fillojnë të dalin të gjithë pasagjerët e aeroplanit Prishtinë-Vjenë. Por, jo edhe anëtarët e delegacionit të Kosovës. Dy prej tyre “ilegalë”, njerëz pa viza. Në kohën derisa u zgjidh ky problem, në aeroport zbret edhe aeroplani me të cilin fluturonin pjesëtarët e delegacionit serb. Në mesin e tyre nuk kishte “ilegalë” pa viza. Për këtë të drejtë “privilegj”, Kosova kërkon përgjigje në përfundim të statusit gjatë këtij viti, që qytetari i Kosovës të mos mbetët i “Huaji”. Pritej që anëtarët e delegacionit kosovar, pasi ta kalojnë pikëkontrollin kufitar, të ishin nervozë për shkak të këtij momenti banal që përjetuan. Jo. Ata vijnë nga një shoqëri që problemet e këtilla i ndien, si duket, normale. Me gjakftohtësi dhe humor e vica i kalojnë çastet në një tryezë të përbashkët në hotel. Nuk vërehej asnjë ndasi e natyrës partiake.
Hobi i Ahitsaarit, kafenetë e vjetra vjeneze

Sipas burimit të agjencisë Beta (një nëpunëse e Misionit të SMZ-së pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë), në takimin e ekipeve negociuese u bisedua gjatë për temën e parë, transferimin e autorizimeve në fushën e shëndetësisë, kështu që vetëm pas drekës u kalua në temën e arsimit. “Bisedimet janë shumë serioze dhe po udhëhiqen me mirëkuptim dhe paraqitje të argumenteve”, tha ky burim. Ajo shtoi se para fillimit të negociatave, në takimin me Martti Ahtisaarin, anëtarët e ekipit negociues serb ia përmendën Ahtisaarit intervistën e tij dhënë gazetës gjermane “Spiegel” dhe, sipas saj, ai nuk u ndie këndshëm nga kjo vërejtje.
Derisa zhvilloheshin negociatat në pallatin “Daun Kinski”, Ahtisaari rrinte në kafenetë e afërme “Central” në Vjenë. I dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës para ca kohësh, në një intervistë, ka thënë se ka qejf t’i vizitojë kafenetë e vjetra të Vjenës dhe se bashkëshortja e tij para ardhjes në Vjenë ia kishte dhuruar një libër për këtë, nëpërmjet të cilit ka zbuluar një hobi të ri për vete.
nga Islam Spahiu, Lajm
Shtuar më 22/02/2006, ora 09:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori