Vjedhja në BSH, Prokuroria: Përgjegjës janë Bitraj, Bruzia dhe Bejtaj
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim kërkesën ndaj Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia dhe Klevis Bejtaj, të tre të akuzuar për vjedhje në Banjën e Shqipërisë.

Nga hetimi i Prokurorisë së kryeqytetit ka rezultuar se këta tre shtetas janë përgjegjës për vjedhjen e një sasie shumë të madhe parash në Bankën e Shqipërisë.

Ardian Bitraj, ish-përgjegjës sektori në Bankën e Shqipërisë, konsiderohet personi përgjegjës për vjedhjen e mbi 7 milion dollarëve nga ky institucion. Nga hetimi është provuar se pjesa më e madhe e parave të vjedhura në Bankën e Shqiperisë janë shpenzuar nga i pandehuri Ardian Bitraj në pikat e llotove të sportit të shpërndara në qytetin e Tiranës.

Këto pika janë identifikuar, krahas veprimeve të tjera hetimore, edhe nëpërmjet qelizave të tabulateve telefonike të të pandehurit Ardian Bitraj gjatë periudhës që ishte i punësuar në Bankën e Shqipërisë. Sipas informacionit të dërguar nga kompania përkatëse celulare, nëpërmjet të cilit lokalizohej vendndodhja e personit përdorues të numrit celular, i pandehuri Ardian Bitraj, pas largimit nga puna shpenzonte një sasi të gjatë kohe në pikat e lloto-sportit në qytetin e Tiranës.

Mimoza Bruzia, ish-përgjegjëse në Bankën e Shqipërisë, rezulton nga hetimi se ka qenë në dijeni të plotë të vjedhjes në vazhdimësi që kryente i pandehuri Bitraj, madje e ka lejuar që të kryente këtë vjedhje në sektorin që ajo kishte në ngarkim.

Klevis Bejtaj ka qenë në dijeni të plotë që i afërmi i tij, Bitraj, kryente vjedhjen e parave në Bankën e Shqipërisë. Është provuar se, i pandehuri Bejtaj, pasi telefonohej nga i pandehuri Bitraj, shkonte me makinën e tij në objektin ku punonte Bitraj dhe merrte qeset me para që i vidhte ky i fundit në Bankën e Shqipërisë. /albeu.com/
Shtuar më 11/01/2015, ora 15:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori