Vjedhja në BSH, Bitraj: Më emëroi Fullani, e kuptova se ç’po bëja
Pëlqej
Ardian Bitraj, ishpërgjegjësi i Arkës Stok në Thesarin e Shtetit, i vetmi që ka pranuar të ketë vjedhur shumën prej 713 milionë lekësh, vendosi të trokiste në derën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, për të rrëfyer krimin. Vetëm atëherë kur nuk mundi ta takonte kreun e BSH-së, i cili ishte njeriu që e kishte emëruar në postin e përgjegjësit të zyrës së Arkës Stok, - ai iu drejtua eprorit të tij direkt, Dorian Çollaku, dhe i tregoi ngjarjen.

"Unë ushtroj detyrën e përgjegjësit të Arkës Stok. Në këtë detyrë jam emëruar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. I vetëdijshëm për dëmin që po shkaktoja dhe në pamundësi për të kthyer paratë në arkë, vendosa të tregoja të vërtetën. Vajta tek godina ku qëndron Guvernatori, por nuk arrita të takohesha me të. Një orë më vonë, kam takuar drejtorin Dorian Çollaku dhe i tregova për çfarë kisha bërë", shprehet Bitraj në dëshminë e tij.

VETËDENONCIMI

Ardian Bitraj, ka një karrierë të gjatë si punonjës dhe drejtues në sistemin bankar në Shqipëri. Sikurse ka pohuar dhe vetë ai, në sistemin bankar ka nisur punë në vitin 1993, pranë një banke të nivelit të dytë, dhe ka punuar aty deri diku në fundin e vitit 2003, ku ka qenë i pozicionuar në disa drejtori të ndryshme, që nga specialist e deri në rolin e përgjegjësit të zyrës. Mandej, në vitin 2004, Bitraj mësohet të ketë punuar në Bankën e Kursimeve, edhe kur kjo bankë u privatizua. Në fillim të vitit 2005, ka nisur punë në Bankën e Shqipërisë, si përgjegjës sektori. Në vitin 2011, ai është emëruar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, si përgjegjës i zyrës së Arkës Stok, nga e cila "zhvati" 713 milionët, detyrë që e ushtroi deri ditën kur ai vendosi të vetëdenoncohej tek ish-drejtori i Departamentit të Emisionit në Linzë, Dorian Çollaku.

Në dëshminë e tij, Bitraj tregon se ka vjedhur 6 ose 7 arka dhe vlera e lekëve të marra duhet të jetë afro 600 milionë lekë. "Unë i sistemoja arkat në mënyrë të tillë, që inventarizuesi ta kishte të pamundur inventarizimin e një arke të prekur. Arkat e prekura i mbushja me libra apo sende të tjera që të mos humbnin peshën. Gjithë kohës unë kam prekur arkat me prerje 5-mijëshe dhe lekët që merrja i fusja në rrobat e trupit. Dua të theksoj se, ka pasur raste që kam nxjerrë brenda ditës nga banka dhe dhjetë milionë lekë.

Lekët i merrja nga arkat një herë në muaj apo një herë në dy muaj, por nuk kisha caktuar një rregull të caktuar", - shprehet Bitraj. "Mandej, - sqaron Bitraj, - në detyrën e përgjegjësit të Arkës Stok, kam arritur të marr lekë nga banka dhe dy muajt e fundit, duke prekur lekët e dëmtuara, që ishin programuar për t'u asgjësuar me urdhër të zv.guvernatores. /albeu.com/
Shtuar më 24/08/2014, ora 09:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori