Vizita e Papës, masa "top-secret" në Tiranë (FOTO LAJM)

Pëlqej
Policia e Tiranës ka nisur në orët e para të së shtunës zbatimin e masave të sigurisë me rastin e vizitës së Papa Françeskut. Si pjesë e këtyre masave është ndaluar qarkullimi i automjeteve përgjatë bulevardit "Dëshmorët Kombit" dhe forca të shumta policore janë vendosur nëpër kryeqëzimet kryesore të kryeqytetit për të normalizuar trafikun.

Në të njëjtën kohë ka nisur edhe heqja e automjeteve të parkuara në akset rrugore ku është njoftuar një ditë më parë ndalim-parkimi.

Të gjitha këto masa janë pjesë e planit për garantimin e vizitës së Papa Françeskut që mbërrin në Rinas të dielën në orën 09:00.

Në Tiranë do të ngrihen 27 pika kontrolli, në të gjithë perimetrin që rrethon sheshin "Skënderbej", bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe sheshin "Nënë Tereza".

Sipas policisë, në këto pika do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh. Policia paralajmëron të gjithë ata, që duan të marrin pjesë në ceremoni, se nëse nuk do të pranojnë t’i nënshtrohen këtij kontrolli do të shoqërohen në komisariatet e Tiranës.

Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa duhet të kenë edhe kartën e identititetit, në të kundërt nuk do të lejohen. Nga ana e Gardës së Republikës njoftohet se, nëse dikush ka ftesë por nuk është në listën që disponon Garda, do të shoqërohet në ambientet policore.

Masat e sigurisë, të dielën do të jenë tepër të rrepta. Në të gjitha tarracat e larta të kryeqytetit do të vendosen të paktën 50 snajperë, që do të vrojtojnë edhe lëvizjen më të dyshimtë.

Përsa i përket lëvizjes së Papës drejt Aeroportit të Rinasit dhe fshatit Bubq, policia njofton se aksi rrugor në drejtim të Rinasit do të jetë i bllokuar të dielën, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 10:30 minuta, ndërsa të gjitha akset që të çojnë në Bubq do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në orën 19:00.

Ministria e Brendshme është duke marrë të gjitha masat për sigurimin e vizitës së Papës në Shqipëri, përfshi gjithë institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Garda e Republikës, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile.

Drejtues i këtij operacioni do të jetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Policia i ka kërkuar qytetarëve të kufizojnë në orët në vazhdim lëvizjet me automjetet e tyre, në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, për shkak të kontrolleve të shumta, që do të kryejë në orët në vazhdim, deri në ardhjen e Papës.

Janë marrë masat edhe për emergjencat mjekësore, një hartë e shpërndarë nga Shteti shqiptar dhe që do t’u jepet të gjithë vizitorëve, shpjegon qartë se ku ndodhen autoambulancat, si dhe qendrat shëndetësore në rast nevoje. /albeu.com/
Shtuar më 20/09/2014, ora 11:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori