Vizat, qeveria aktivitete festive
Pëlqej
Vendimin e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Europian, për heqjen e vizave me Shqipërinë, Qeveria shqiptare do ta festojë plot dy ditë rresht. Stafi i Kryeministrisë është angazhuar në përgatitjen e aktiviteteve që mësohet se do të jenë të shumta në harkun kohor dyditor.

Një projekt i përgatitur nga Ministria e Integrimit ka bërë që në lëvizje të vihen të gjithë strukturat. Do të jenë një sërë aktivitetesh, që do të kulmojnë me një miting pompoz ditën e martë, një ditë pas vendimit për liberalizimin e vizave. Qeveria ka parashikuar që të zhvillojë një sërë aktivitetesh paralele, ku do të përfshihen edhe “dekorata” për ata që kontribuan në këtë proces.

Krahas aktiviteteve dhe mitingut, qeveria ka përcaktuar një fond të posaçëm edhe për spotet publicitare. Nuk dihet ende se sa do të jetë vlera e shpenzimeve për mitingun apo aktivitetet e tjera, ndërkohë që deri më tash, strukturat e të gjitha niveleve, qoftë partiake, ashtu edhe qeveritare, do ta përqendrojnë vëmendjen tek mitingu i ditës së martë për të treguar se meritën në këtë proces e kishin vetëm reformat e realizuara nga qeveria.

Ndërkohë, zyrtarisht dje nga Brukseli është përcaktuar axhenda e takimit të ditës së hënë dhe të ditës së martë, ku pritet të jepet vendimi pozitiv për Shqipërinë. Komisioni Europian lëshoi propozimin e tij për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën në mbledhjen e datës 27 maj 2010, duke u pasuar me një vendim të marrë nga Parlamenti Europian. (albeu.com)
Shtuar më 07/11/2010, ora 14:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori