Vitine kaluar, borxhet e Shqiperise u rriten me 623 milione euro
Albeu.com
Borxhi i brendshëm dhe i jashtëm i qeverisë shqiptare u rrit me 623 milionë euro gjatë vitit 2009, duke shënuar rritjen më të lartë nominale të shënuar në shumë vite, shkruan gazeta Shqip, duke u mbështetur në një analizë të publikuar prej Ministrisë së Financave të Shqipërisë.
Stoku i borxhit të brendshëm, i cili përbën rreth 60 për qind të totalit të borxhit, u rrit me 15 miliardë lekë, ndërsa stoku i borxhit të jashtëm u rrit me 71 miliardë lekë.
“Borxhi i jashtëm ka pësuar rritje jo vetëm si rezultat i shtesës së kredisë sindikale prej 192.6 milionë eurosh, por edhe si rezultat i ecurisë pozitive të disbursimeve për projektet me financim të huaj. Ky është një tregues pozitiv i përmirësimit të menaxhimit në zbatimin e projekteve të huaja, duke çuar në rritjen e performancës së realizimit dhe uljen e kostos së tyre efektive”, deklaroi Ministria e Financave.
Pjesa dërrmuese e borxheve të marra gjatë vitit të kaluar u investuan në projekte të ndryshme infrastrukturore, por rreth 12 miliardë lekë ose 90 milionë euro nga borxhet u përdorën për të mbuluar shpenzimet operative të qeverisë. Për pasojë, totali i borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto u rrit në 59.7 për qind. Parakushti për anëtarësimin në Eurozonë është që stoku i borxhit publik të mos jetë më i lartë se 60 për qind e PBB-së. Por qeveria shqiptare zotëron edhe detyrime të së ardhmes, që deri më sot nuk janë klasifikuar si pjesë e borxhit publik. Të tilla janë detyrimet që krijohen nga pagesat e qytetarëve për sigurime shoqërore e shëndetësore, detyrime që vlerësohen në disa miliardë euro. Pjesa më e madhe e borxhit të jashtëm të Shqipërisë ose rreth 55 për qind e tij është në euro. Rreth 32 për qind është në SDR, e cila është monedha llogari e përdorur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Ky fakt e bën stokun e borxhit të jashtëm më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të kursit të këmbimit lekë/euro, duke dhënë efekte të ndjeshme në rivlerësimin e stokut të borxhit të jashtëm në fund të vitit 2009”, thotë Ministria e Financave.
Shtuar më 16/02/2010, ora 21:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori