Viti i ri shkollor, Presidenti: Shkollim serioz e dije të rrënjosura
Presidenti i Republikës Bujar Nishani uron nxënësit, mësuesit, studentët dhe pedagogët për fillimin e vitit të ri shkollor. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit thekson domosdoshmërinë e shkollimit serioz, dijeve të rrënjosura dhe edukimit të qëndrueshëm, në mënyrë që siç shprehet ai, "të bëhemi pjesë e familjes së shkolluar europiane, me dinjitet, me kokën lart".

"Të dashur nxënës, studentë, mësues, pedagogë, Ju uroj me gjith' zemër këtë ditë të shënuar, ditën e parë të shkollës. Uroj gjithashtu ata që shkollave i japin gjallërinë, jetën, u besojnë fëmijët, uroj pra prindërit shqiptarë, ata që për shkollimin e fëmijëve nuk kursejnë asgjë.

Uroj të gjithë shkollarët; nga vocërrakët që nesër për herë të parë do shkojnë në shkollë, deri tek ata që nesër për herë të parë nuk do shkojnë në shkollë, sepse shkollën e kanë mbaruar, dhe për 'ta tash' e tutje bankat e shkollës do jenë një nostalgji e bukur.

Uroj të gjithë shqiptarët puna e të cilëve në një mënyrë a në një tjetër lidhet me shkollën.

Pavarësisht nga koha që kalon, stinët që ndërrohen, qeveritë që ikin e vijnë dhe parlamentet që ja lenë vendin njëri-tjetrit, qëllimi i shkollës, thelbi i saj, mbetet i njëjtë; Zotërimi i dijeve dhe edukimi. Me pikësynimin e vazhdueshëm që ato dije dhe ai edukim të bëhen në përputhje me individualitetin e secilit, aftësitë e secilit, talentet e secilit, me shpirt përgjegjësie dhe besim në të ardhmen për të mirën e vetes dhe të shoqërisë.

Etja për dije dhe shkollim, është tashmë një cilësi e provuar e shqiptarëve. Prindërit tanë lodhen shumë, sakrifikojnë shumë, investojnë shumë për shkollimin e bijve dhe bijave të tyre. Aq e vërtetë është kjo, saqë tashmë mund të themi pa hezitim se me dërgimin në masë të të rinjve në universitete, kjo dukuri fatlume e ka shndërruar faktikisht arsimin tonë, nga arsim i detyruar 9-vjeçar, në arsim të detyruar të lartë.

Shkollimin serioz, dijet e rrënjosura, edukimin e qëndrueshëm, i kemi të domosdoshme për shumë arsye;
Për të kualifikuar si duhet ndërtuesit e ardhmërisë sonë.
Për të kultivuar dhe rrënjosur vetëdijen kombëtare, atdhetare, patriotike.

Për të ruajtur dhe pasuruar vlerat njerëzore dhe qytetare.
Për të shpërndarë dhe rrënjosur kulturën e dialogut, mirëkuptimit, paqes.

Për t'i vënë fre efekteve shkatërruese të rendjes së papërmbajtur drejt materialitetit.

Për të penguar dëmin e pallogaritshëm të emigrimit të trurit.

Për tu bërë pjesë e familjes së shkolluar europiane, me dinjitet, me kokën lart."- thuhet në mesazhin e presidentit.

"Kemi lëndën e parë të shkollës, të rinjtë e etur për dije.
Kemi kuptueshmërinë e gjerë mbarëpopullore mbi rëndësinë e shkollimit, domosdoshmërinë e edukimit.

Kemi shkollat, ambientet, infrastrukturën. Kemi traditën.

Çfarë na mbetet të bëjmë për shkollat dhe arsimin, është përmirësimi i tyre, perfeksionimi i tyre i vazhdueshëm.
Një i ri i mirëshkolluar dhe i mirëedukuar që preokupohet për të ardhmen e vetes dhe të shoqërisë, është pakrahasimisht më i dobishëm dhe më i vlefshëm se një i ri i shkolluar dhe edukuar keq, i vetëkënaqur dhe i rehatuar.
Le të jetë ky vit shkollor, një vit i ngritjes në një nivel më të lartë të: Cilësisë së shkollimit dhe edukimit, duke nisur nga themeli i gjithçkaje, edukata familjare,
Shtimit dhe respektimit të virtyteve njerëzore,
Rritjes së ndjeshmërisë të secilit mbi të drejtat dhe detyrat. Ndërgjegjësimit për faktin se në shkollë mund të marrësh ose jo nota të mira, por vlerësimin përfundimtar ta jep ose nuk ta jep Jeta.

Me punë dhe këmbëngulje, me sakrifica dhe rezultate, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë vit shkollor. Urime!", përfundon mesazhi i presidentit Nishani. /albeu.com/
Shtuar më 15/09/2013, ora 11:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori