Visho Ajazi: SHISH nuk ka përgjuar asnjë në mënyrë të paligjshme
Sipas Visho Ajazit, SHISH s’ka përgjuar pa ligj. Kjo deklaratë është përcjellë nga ai për mediat, teksa ka nënvizuar faktin se asnjë nuk është përgjuar në mënyrë të paligjshme. Kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, ka deklaruar se Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka përgjuar në mënyrë të paligjshme persona publikë të profileve të ndryshëm, apo ndonjë qytetar tjetër. Duke e cilësuar këtë situatë si të pavërtetë, ai shton se i ka injoruar këto përpjekje.

"Ditët e fundit, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) edhe një herë tjetër është vënë në shënjestër të goditjeve të mediave të ndryshme, përmes deklarimit të të pavërtetave lidhur me aktivitetin e tij ligjor.

Duke sqaruar se SHISH nuk e ka në natyrën e punës së tij të bëjë publike veprimtarinë e vetë, për hir të së vërtetës dhe mbrojtjes së punës së tij, na lejoni t’i bëjmë me dije gjithë opinionit publik shqiptar se institucioni ynë ka vepruar, vepron dhe do të veprojë gjithmonë vetëm në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet normative që rregullojnë këtë veprimtari.

Janë tërësisht dezinformuese e denigruese informimet se qenkan përgjuar nga SHISH, në mënyrë të paligjshme, persona publikë të profileve të ndryshëm apo ndonjë qytetar tjetër.

Është shumë e qartë se ata persona që servirin këto lloj informacionesh në media, dhe për fat të keq edhe botohen pa marrë asnjë masë verifikuese, kanë qëllimin e mbrapsht ta denigrojë këtë agjenci të rëndësishme të sigurisë kombëtare, ta pengojë dhe shkurajojë në punën e saj aq të dobishme dhe të vështirë.

Ju sigurojmë se kemi kaluar situata shumë më të vështira se sa situatën e stisur me këto të pavërteta, por ne thjesht i kemi injoruar të gjitha ato përpjekje, të cilat kanë patur si qëllim përbaltjen e veprimtarisë sonë.

Përmes këtij komunikimi, e sigurojmë publikun shqiptar se veprimtaria e SHISH, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, në këta dy vjet, është vlerësuar mjaft pozitivisht si nga institucione të shtetit shqiptar, ashtu edhe nga shërbime partnere strategjike.

Jemi krenarë t’ju informojmë se në rendin e këtyre vlerësimeve, për suksesin e vizitës së Papa Franceskut, në mes të institucioneve të tjera, edhe SHISH mori falenderime të veçanta nga Shenjtëria e Tij.

Duke qënë të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë në drejtim të rritjes së profesionalizmit në SHISH, ne po punojmë me vetmohim dhe jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe asaj globale, e cila rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku Shqipëria dhe SHISH në veçanti, janë të angazhuara në vijën e parë të kësaj lufte", përfundon deklarata. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2014, ora 13:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori