Viktor Zhusti përlotet kur flet për ndarjen nga jeta e Ferrit: O Zot, e paimagjinueshme
Aktori Viktor Zhusti ka marrë vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktorit të madh, Xhevdet Ferri, në një lidhje live nga “News24” dhe nuk ka mbajtur dot lotët.

“O Zot, është e paimagjinueshme. Është gjëja më shokuese dhe më tronditëse, që kam pasur në këtë periudhë. Kohët e fundit bëmë filmin “Delegacioni” me të, që pati sukses të jashtëzakonshëm.

Xhevdeti ka qenë, o Zot, ka qenë studenti im. Ka qenë i shkëlqyer, nuk di ç’të them. Iu shpreh ngushëllime të gjithë atyre që e kanë njohur.

E kam takuar një vit më parë, kur ishim me xhirimet e filmit. Nuk e dija që ishte i sëmurë.

O Zot, në atë kohë pati një incident dhe me një aktor tjetër, por e sollën në Tiranë me urgjencë dhe shpëtoi. Xhevdeti ishte shumë bashkëpunues, shumë i dashur dhe i sjellshëm.

Çdo gjë mund të prisja sot, por vetëm këtë jo. Unë kam luajtur disa filma me Xhevdetin.

E kuptoni sa e vështirë, pas një lajmi aq tronditës, të përqendrohem dhe të përmbledh kujtimet e mia me të. Sa e rëndë, sa e papritur dhe sa shokues ishte gjithë ky lajm. Me Xhevdetin kam një rrugë 50-vjeçare, ne ishim miq, aktorë, bashkëpunëtorë, studentë, pedagogë, e donim dhe e respektonim njëri-tjetrin … nuk e di”, tha Zhusti.
Shtuar më 16/01/2020, ora 20:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori