Viktima e katert e aksionit policor eshte Harun Aliu
Albeu.com
Harun Aliu, për të cilin ekziston fletarrest dhe i cili në mungesë është dënuar me burg të përjetshëm për shkak të vrasjes së një polici, është njëri nga 4 të vrarët në aksionin e djeshëm policor, në afërsi të fshatit Radushë.Aliu konsiderohej si organizator i grupit, i cili në shenjë hakmarrjeje për aksionin policor në fshatin Brodec, më 3 janar të vitit 2008, sulmoi një xhip të policisë, me ç’rast u vra polici Zoran Markovski, ndërsa katër kolegë të tij u plagosën. Nga koha e këtij sulmi Aliu ishte në arrati dhe u dënua në mungesë.

Harun Aliu ishte politikisht aktiv si drejtues i partisë Alternativa Kombëtare dhe është njëri ndër njerëzit që ka dhënë kontrubut të madh në formimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, dje tha se policia e ka në kontroll situatën e sigurisë. Ajo e bërë këtë deklaratë pasi policia njoftoi se katër persona u vranë nga shkëmbimet e zjarrit me një, siç u tha, grup të armatosur, në kufi me Kosovën. Ministrja i përshkroi personat si njerëz që kanë pasur probleme me ligjin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur aksionin e policisë së Maqedonisë, ku u vranë katër shqiptarë në afërsi të fshatit Radushë. "Shtetet e Bashkuara përshëndesin aksionin e suksesshëm të policisë së Maqedonisë kundër elementeve kriminele, që në mënyrë evidente planifikojnë veprime të dhunshme kundër qytetarëve të Maqedonisë. Siç kemi potencuar edhe në deklaratën tonë të përbashkët me anëtarët tjerë të komunitetit ndërkombëtar të 27 prillit, ne përsëri dëshirojmë të theksojmë kundërshtimin dhe dënimin tonë të ashpër të dhunës dhe të atyre që promovojnë atë", thuhet mes tjerash në komunikatën e ambasadorit të SHBA-ve në Shkup, Filip Riker. (alsat-m/albeu)
Shtuar më 13/05/2010, ora 10:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori