Vija kufitare Maqedoni-Kosove, problemi mund te zgjidhet pas 3 vjetesh
Albeu.com
Që të përfundojë zgjidhja e çështjes së kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës do të duhet të kalojnë edhe dy ose tre vjet. Edhe pse Komisioni para disa muajve përfundoi me demarkacionin e kufirit, çështjet teknike të cilat do t’i jepnin fund zgjidhjes së problemit do të zgjasin edhe disa vjet.
Nga komisioni kosovar dhe maqedonas thonë se do të duhen së paku edhe dy vjet që të përfundojnë këto çështje teknike. "Demarkacioni i kufirit ka përfunduar para disa muajve. Ne tani po merremi me çështje teknike, të cilat edhe pse janë çështje të vogla, duan kohë që të përfundojnë", tha kryetari i Komisionit të Maqedonisë Teodor Nanev.

Sipas tij do të duheshin edhe 2-3 vjet që të përfundonin këto çështje të vogla teknike si përgatitja e dokumentacionit, fotografimi i terrenit, pastrimi i terrenit, etj. "Në si komision i kemi përfunduar në kohë të gjitha proceset që kishin të bënin me demarkacionin, ndërsa këto çështjet teknike, edhe pse janë të imëta zgjasin, por çështja kryesore e kufirit është përfunduar me kohë", sqaroi Nanev.

Ndërkaq kryetari i Komisionit Kosovar Murat Meha tha se komisioni deri më tani ka realizuar rreth 98 për qind të demarkacionit. "Po punojmë intensivisht që ta përfundojmë komplet demarkacionin", tha Meha, duke mos caktuar asnjë datë se kur do të përfundojë ky proces. "Nuk mund të flasim me data, por që të dyja palët janë të interesuara që demarkacioni të përfundojë sa më shpejt", tha Meha.

Ai sqaroi se për momentin janë duke punuar në përgatitjen e dokumentacionit përkatës, ndërkaq që fotografimi i kufirit është lënë që të bëhet në shtator. Zgjidhja e çështjes së kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës, është edhe një nga kushtet që Maqedonia ia ka vënë Kosovës për ta njohur atë. Ndërkaq, Debëlldeja ka qenë një nga pikat më të nxehta të kufirit. Banorët e fshatit Debëllde të Vitisë, disa herë i kanë shkulur gurët që përcaktojnë vijën kufitare, të vendosur nga komisionet ndërkufitare të Kosovës dhe Maqedonisë. (lajm)
Shtuar më 28/08/2009, ora 19:23
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori