Vija Bregdetare e Vlorës, 96 projektues në konkurs
96 projektues kanë aplikuar në konkursin për Vijën Bregdetare të qytetit të Vlorës. Ministria Zhvillimit Urban dhe Turizmit njofton se 3 ditë përpara përfundimit të afatit zyrtar të dorëzimit të aplikimeve në faqen e Konkursit Ndërkombëtar për Vijën Bregdetare kanë aplikuar 96 projektues, nga te cilët 66 studio ndërkombëtare, 15 studio vendase dhe 15 grupime studentore.

"Për shkak të kërkesave të shumta nga ana e aplikantëve për pjesëmarrje, në fund të muajit Janar, Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit vendosën të zgjasin afatin e dorëzimit të dokumentacionit për konkurim me 2 javë, në mënyrë që t'u japë konkurenteve më tepër kohë për të përgatitur propozimet e tyre. Data e fundit e aplikimeve është 12 Shkurti dhe në faqen zyrtare të konkursit www.vlorawaterfront.al mund të mësohen të gjitha detajet në lidhje me këtë proces. Pas datës 12 Shkurt, juria e ndërkombëtare e konkursit do të vlerësojë propozimet dhe do të përzgjedhë 5 studio/ propozimet më të mira, të cilat do të ftohen të paraqesin propozimet e tyre drejtpërsëdrejti përpara jurisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Vlorës, duke përzgjedhur më pas fituesin", bën me dije Ministria e Zhvillimit Urban.

Faza finale e konkursit dhe shpallja e fituesit do të bëhet më datë 21 dhe 22 Shkurt, në Vlorë. "Ky aktivitet do të shoqërohet edhe me ekspozimin publik të të gjitha propozimeve të ardhura në adresë të Konkursit Ndërkombëtar për Vijën Bregdetare të Vlorës", thpnë nga ministria.


Konkursi u hap më 28 Nëntor të vitit që lamë pas, në prani të qytetarëve të Vlorës. Sipas ministrisë ai organizohet për të mbledhur idetë më të mira të projektimit urban për një vijë bregdetare me gjatësi 4.9 km dhe shtrirje nga Pylli i Sodës deri tek tuneli.

"Konkursi ndërkombëtar për rehabilitimin dhe rivitalizimin e hapësirës urbane brenda Vijës Bregdetare të Qytetit të Vlorës synon ta shndërrojë shëtitoren në një zonë këmbësore me gjallëri të jashtëzakonshme, në një destinacion për turistët dhe vizitorët që mbërrijnë nga mbarë bota", sqaron Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. /albeu.com/
Shtuar më 09/02/2014, ora 11:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori