Berisha përfshiu logon e PD në koalicionin me Metën, Alibeaj: Në kufijtë e veprës penale

Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas kërkesës së depozituar sot për regjistrimin e koalicionit Meta-Berisha në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në një postim në Twitter, Alibeaj deklaroi se përfshirja e logos dhe siglës së PD në këtë kërkesë nga Berisha, është në kufijtë e një vepre penale.

Më tej, ai i kërkon kryekomisionerit Celibashi që të marrë masa për të shmangur regjistrimin e një koalicioni që përdor në mënyrë të paligjshme logon dhe simbolet e PD.

Alibeaj: Depozitimi në KQZ për regjistrimin e koalicionit “Bashkë fitojmë” përmban një shkelje të rëndë lidhur me përdorimin e siglës dhe emrit të PD. Ky përdorim, i shkruar në një dokument zyrtar që ndodhet aktualisht në KQZ, është në kufijtë e një vepre penale. PDSH nuk është regjistruar ende në KQZ, kjo falë tifozërisë politike të drejtuesit të saj. Në cilësinë si kryekomisioner, Celibashi duhet të marrë masa urgjente për të shmangur regjistrimin e një koalicioni që përdor në mënyrë të paligjshme logon dhe simbolet e PD. Partia Demokratike mbetet në pritje të vendimit të nesërm të KAS. Çdo përdorim juridik në KQZ apo në institucione të tjera i emrit, siglës apo logos së saj është shkelje e Kodit Zgjedhor dhe mashtrim për zgjedhesit.

Mbrëmjen e sotme, nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kryesohet nga Partia e Lirisë.

E dyta në renditjen e partive përbërëse të koalicionit, është edhe Partia Demokratike e Berishës.

Pjesë e koalicionit janë edhe Partia Republikane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. /Albeu.com/