Gati debutimi, Pochettino: Duhet fat për të fituar Champions, për Messin nuk kam fjalë

Trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino është duke u përgatitur të debutojë me klubin francez në Ligën e Kampionëve.

Në përballjen e parë, PSG do zhvillojë ndeshjen kundër klubit belg, Club Bruge.

Pochettino në konferencë për shtyp ka folur lidhur me disa çështje, duke nisur nga Messi deri te Donnarumma.

“Messi? Nuk kam as një fjalë për ta përshkruajë atë. Është adaptuar shpejtë që kur arriti. Nuk mendova se ishte e mundur të nënshkruajë për ne, nuk kishte kohë për të punuar, gjithçka ndodhi për njëherë. E admiroja që një kohë të gjatë si kundërshtarë, tani shpresojmë të arrijmë gjëra që kërkon klubi”.

“Ramos dhe Wijnaldum? Ramos ka eksperiencë shumë të madhe. Ka fituar gjithçka si Leo. Ta kemi në skuadër është mirë. Wijnaldum ishte kapiten i Holandës, ka fituar gjithçka te Liverpool dhe ka karrierë përpara. Mendoj se mund të përshtatet në shumë pozita derisa është edhe lojtar fizik dhe teknik”.

“Donnarumma dhe Hakimi? E pamë që Gigio fiton çmimin e lojtarit më të mirë në Kampionat Evropian me Italinë. Karakteristikat dhe mosha e bën një ndër portierët më të mirë në botë. Hakimin e kam ndjekur që disa kohë. Kur isha në Tottenham ishim pranë ta transferonin, por pastaj shkoi te Dortmund. Është shumë i matur në mbrojtje dhe pastaj ndihmon në sulm me shpejtësi”.

“Liga e Kampionëve? Liga e Kampionëve është ndër garat më të bukura për të luajtur, por e paparashikueshme. Ta fitosh të duhet fat, të gjitha skuadrat garuese janë të forta. Ne ndjejmë presion dhe përgjegjësi, por kemi privilegjin të jemi pjesë e historisë”, deklaroi ai në konferencë për shtyp.


Shtuar 14.09.2021 09:12