Vettingu si "breshka", gjyqtarë dhe prokurorë, në kërkim të hapësirave për të qendruar në sistem
Riza Tufa
Sëfundmi janë bërë tre vite që prej miratimit të ndryshimeve të mëdha kushtetuese, të cilat në thelb përbëjnë Reformën në Drejtësi. Ajo tashmë duhet të përmbyllet me ngritjen dhe funksionimin e plotë të institucioneve kryesore të kontrollit.

Aktualisht, edhe pse me vonesë janë ngritur dhe funksionojnë KLGJ, KLP dhe është formatuar KED e përkohshme, ndërsa ka një vullnet për të ngritur dhe bërë funksional SPAK-un deri në fund të shtatorit, kjo me mbështetjen e fuqishmë të ndërkombëtarëve, sidomos amerikanëve.

Korriku ka qenë i mbushur me plot zhvillime në këtë drejtim ku SPAK ka intervistuar një numër të madh prokurorësh duke kualifikuar disa prej tyre për të qenë pjesë e Prokurorisë Speciale.

Megjithatë, janë detyrimet ligjore që duhet të përmbushin prokurorët e kësaj njësie për të qenë pjesë e saj si edhe shpejtësia e ulët me të cilën po bëhet vlerësimi i figurës nga KPK, të cilat po pengojnë ngritjen dhe bërjen funksionale të SPAK.

Ndërkohë që kërkohen 15 prokurorë, janë kualifikuar vetëm 8 të tillë, ndërsa drejtuesi i KLP-së Gent Ibrahimi u shpreh në media se po shikon nëse mund të gjejë hapësira ligjore për të ngritur një SPAK me tetë prokurorë me mandate të plotë dhe dy të përkohshëm.

Nevoja si edhe vullneti për të bërë sa më parë funksionale SPAK-un janë pikërisht ato që shtyjnë KLP-në të detyrohet të bëjë akrobacira të tilla ligjore dhe ky nuk është një femomen vetëm për Prokurorinë Speciale.

Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në gjykata dhe prokurori ku KLP dhe KLGJ janë të detyruara të plotësojnë boshlleqët e mëdha të shkaktuara nga vetting me emra prokurorësh dhe gjykatësish të përkohshëm.

Në një raport të publikuar sëfundmi Instituti për Demokracia thekson se “autorët e reformës në drejtësi duhej ti kishin marrë parasysh këto situata për të ofruar rrugëzgjidhje optimale ligjore dhe parandaluar krizat institucionale”.

“Teza e përfitimit afatgjatë në kushtet e gjendjes afatshkurtër pa institucione funksionale të drejtësisë, është e gabuar, dhe dëmtuese për besimin publik tek reforma”, thuhet në raport.

Mbijetesa në sistem
Ndërkohë që vettingu po procedon ngadalë, ndërsa KLP, KLGJ po veprojnë në kushtet e emergjencës, kurse SPAK-ut do t’i duhen edhe disa muajë të ngrihet, në Sistemin e Drejtësisë po vërehen një fenomen tejet problematik siç është dhënia pretencës apo vendimeve gjyqësore nga element problematik në gjykata dhe prokurori duke marrë parasysh vendimin e pritshëm të KPK ndaj tyre.

Kjo ka bërë që muajt e fundit personazhe që kanë kryer krime të bujshme të gëzojnë lirinë apo të jepen edhe vendime të tjera me kosto të mëdha financiare për arkën publike.

Ndërkohë që “problematikët” e sistemit po përpiqen të shfrytëzojnë ditët e fundit në detyrë për të marrë përfitimet e fundit, të tjerë po shohin një mundësi tjetër për të qendruar në të njëjta ujëra, tashmë përmes avokatisë.

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti kanë pranë Dhomës së Avokatisë kanë aplikuar më shumë se 50 prokurorë dhe gjyqtarë për të marrë licencën e avokatit. Të dhënat konfirmohen edhe nga vetë Dhoma e Avokatisë.

Ligji i vettingut pengon vijimin e punës brenda Sistemit të Drejtësisë për ata që shkarkohen me vendim të KPK apo KPA nëse zgjedhin ta apelojnë, megjithatë këta gjyqtarë dhe prokurorë e kanë gjetur sërish zgjidhjen edhe për këtë rast.

Ndërkohë që vettingu vijon si “breshka” ata do të vijojnë të japin pretence dhe vendime.

Në momentin kur komisioni i vlerësimit të marrë dosjen e tyre në dorë, ky numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh synon të vihet paraprakisht me vendimin që do të dalë për ta. Nëse mësojnë se vendimi do të jetë negative ata pritet të japin dorëheqjen para shpalljes së tij duke përfituar kështu vijimin e të qënit brenda sistemit, kësaj radhe si avokatë.

Kjo më kot, kohët e fundit jemi njohur me një numër të madh dorëheqjesh të gjyqtarëve apo prokurorëve, dosjet e të cilëve kanë qenë në duart e KPKsë.

Vonesat në procesin e vettingut, manovrat që po bëjnë një numër gjyqtarësh dhe prokurorësh për të qendruar brenda sistemit pavarësisht rezultatit të vlerësimit nga KPK si edhe retorika politike duke i kufizuar rezultatet e reformës vetëm tek puna e SPAK dhe BKH rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut tek një ndër sipërmarrjet më të rendësishme të këtyre viteve demokraci në vend.
Shtuar më 27/07/2019, ora 14:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori