Vettingu, mes frikës për amnisti dhe nevojës për ndëshkim të prokurorëve dhe gjyqtarëve keqbërës

Emirjon Senja
Reforma në Drejtësi është vlerësuar si pika kyçe për vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri dhe rol të rendësishëm në këtë proces kanë pikërisht gjykatësit dhe prokurorët që do të përbëjnë sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri.

Për këtë qëllim është miratuar "vettingu" siç jemi mësuar t'a thërrasim rëndom ligjin për rivlerësimin e përkohshëm të gjyqtarëve të prokurorëve.

Mirëpo, duke qenë të vetëdijshëm për të shkuarën e tyre të errët dhe pasojat që mund të kenë në të ardhmen, një numër jo i vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh janë tërhequr nga procesi i rivlerësimit duke tentuar të fshehin atë që kanë vepruar deri më tani përmes largimit vullentar nga sistemi i drejtësisë.

Në fakt është vetë ligji në fjalë që ua mundëson një lehtësi të tillë, i cili synon më shumë vendosjen e bazave të forta të sistemit të drejtësisë në Shqipëri për të ardhmen se sa të merret me të shkuarën.

Pikërisht ky fakt ka ngritur pikëpyetjen e madhe nëse në të vërtetë kemi të bëjmë me një amnisti të gjerë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë shkatërruar gjatë këtyre tre dekadave drejtësinë në Shqipëri?

Ndryshimet ligjore të bëra ndalojnë përdorimin e të dhënave të përfituara nga procesi i rivlerësimit për të hapur një dosje hetimore.

Maksimumi i penalitetit që mund të marrë një gjyqtar apo prokuror nëse rezulton problematik në fund të vlerësimit është dërgimi për rikualifikim në Shkollën e Magjistraturës apo përjashtimi nga sistemi i drejtësisë me vendim të Komisionit i Pavarur i Kualifikimit.

Çfarë parashikon ligji

Gjyqtarët dhe prokurorët që janë të vetëdijshëm për të shkuarën problematike të tyre siç mund të jenë vendosja e pasurisë së pajustifikuar, raportet me krimin, vendimet e pabazuara në ligj apo mungesa në formimin profesional, mund të shpëtojnë nga kjo "bela e madhe" duke u tërhequr nga procesi i vettingut.

Me të marrë kërkesën për tërheqje nga procesi i vettingut, KPK ka detyrimin që të ndërpresë mbledhjen e provave për rivlerësimin e figurës së tij.

Ndërkohë, gjyqtari apo prokurori tërhiqet nga sistemi duke mos patur të drejtë të rifutet për një periudhë 15 vjeçare.

Pavarësisht se është tërhequr duke detyruar komisionin e rivlerësimit që të mos e hetojë, ligji i njeh të drejtën gjyqtarit apo prokurorit që të trajtohet për një periudhë të caktuar me pension të posaçëm, siç është ai për zyrtarët e lartë shtetërore.

"Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen deri përpara se t’i jepet vendimi përfundimtar në seancën dëgjimore. Në këtë rast, ndaj subjektit pushohet procedura e rivlerësimit dhe në përputhje më këtë projektligj dhe nenin G të aneks Kushtetutës subjektit i akordohet pension i veçantë.

Subjektet që japin dorëheqje nuk kanë të drejtë të emërohen për një periudhë 15-vjeçare, në asnjë prej organeve të sistemit të drejtësisë, siç parashikohen në këtë ligj. Këto subjekte nuk kanë pengesa për t’u punësuar në administratën publike, për sa kohë ligjet e posaçme nuk kanë kufizime"., - parashikohet në ligjin e vettingut.

Por a është kjo një amnisti?

Ligji parashikon rivlerësimin e figurës së gjyqtarit dhe prokurorit duke u bazuar në tre komponentë: Pasuritë, lidhjet me krimin e organizuar si edhe aftësitë profesionale.

Nisur na këto tre pika, ekspertët vlerësojnë se pamje të parë duket si një amnisti, ku ligjvënësi i thotë gjykatësve dhe prokurorëve: "Ke bërë çfarë ke bërë, çdo gjë fillon nga tani e tutje", duke e marrë momentin e rivlerësimit si pikën zero të karrierës së tij.

Por, kush do të paguajë për dëmet e pariparueshme që janë shkaktuar deri më tani nga prokurorë dhe gjykatës të korruptuar në sistemin e drejtësisë?

Në fakt, pavarësisht se është treguar mjaft bujar me ata prokurorë apo gjykatës që kanë shkatërruar drejtësinë në vend, ligji për rivlerësimin nuk pengon zhvillimin e hetimeve të tjera penale në lidhje me personazhet në fjalë.

Ligji ndalon përdorimin e të dhënave të përfituara nga procesi i rivlerësimit për hapjen e një procesi penal, por nuk ndalon që një prokuror të hapë dosje penale me të dhëna të siguruara nga burime të tjera mbi prokurorin apo gjykatësin që ka kryer shkelje me pasoja të rënda gjatë karrierës së tij.

Ky detaj shpjegohet mirë edhe në në nenin 54 të ligjit të vettingut. "Heqja dorë e personit nga raportimi nuk sjell pushimin e hetimit, nëse Komisioni ose Kolegji i Apelimit çmon se veprimi ose praktika e dyshuar përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për fillimin e hetimit kryesisht"., - thuhet në të.

Shembulli tipik në rastin konkret është vetë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili u tërhoq nga rivlerësimi, por kjo nuk e ndaloi prokurorinë që të nisë një hetim ndaj tij për pastrim parash.

Zyrtarët e tërhequr me vullnetin e tyre nga procesi i rivlerësimit

1-Adriatik Llalla, ish-Prokurori i Përgjithshëm;

2-Besnik Imeraj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese;

3-Ilir Pashaj, gjyqtar, Gjykata e Shkallës së Parë, Elbasan;

4-Etleva Sherifi, ndihmës ligjor, pranë Gjykatës së Lartë;

5-Adnand Bërdica, ndihmës ligjor, pranë Gjykatës së Lartë;

6-Mirela Fana, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë;

7-Sulejman Tola, prokuror në Prokurorinë pranë, Gjykata e Shkallës së Parë, Krujë;

8-Eritan Shehu, ndihmës ligjor, pranë Gjykatës së Lartë;

9-Ilir Çeliku, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit, Vlorë

10-Erlindi Basha, ndihmës ligjor, pranë Gjykatës së Lartë.

Në galerëinë që shoqëron këtë lajm mund të ndiqni vendimet e KPK për tërheqjen nga procesi i rivlerësimit të tetë prokurorëve dhe gjykatësve dhe dy ndihmësave ligjor në Gjykatën e Lartë. /albeu.com/

Ky shkrim është pjesë e Projektit të Institutit Shqiptar të Medias “Media dhe Reforma në Drejtesi”, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tirane. Opinionet dhe gjetjet e shkrimit janë të autorit



Shtuar më 03/04/2018, ora 13:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori