Ekspertët: Ngordhja e 10 balenave në Qipro mund të ketë lidhje me tërmetet në Turqi

Një numër balenash mbetën të ngordhura në brigjet veriore të Qipros. Sipas mediave vendase mësohet se autoritetet dyshojnë se ngordhja e balenave mund të lidhet me tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Sirinë fqinje.

Një grup prej katër balenash u gjet në plazh në Argaka, Paphos. Vendasit arritën t’i kthenin në det tre, të cilët ishin ende gjallë. I katërti vdiq, sipas departamentit të peshkimit dhe kërkimit detar të Qipros.

Gjashtë balena të tjera u gjetën të ngordhura të premten midis Polis dhe Pachyammos. Nuk dihet nëse disa prej tyre ishin ato që ishin kthyer në det një ditë më parë.

Si mund të lidheshin tërmetet në Siri dhe Turqi me ngordhjen e e balenave në Qipro?

Balenat përdorin tingujt nënujor si mënyrën e tyre kryesore për të komunikuar dhe vlerësuar mjedisin e tyre. Zhurma e oqeanit mund të ndikojë në aftësinë e balenave që zhyten thellë për të lundruar, për të gjetur ushqim dhe për të shmangur grabitqarët.

Mendohet se dridhjet sizmike nga tërmetet e fundit në Turqi dhe Siri mund të kenë çorientuar balenat.

“Këto kafshë kanë një sistem ekolokimi i cili ndikohet nga zhurma e detit,” tha për Sigma TV në Qipro, Yiannis loannou nga departamenti i peshkimit dhe kërkimit detar. “Mund të jenë ushtrime ushtarake, stërvitje sizmike ose natyrisht tërmeti në rajon”./Albeu.com/


Shtuar 15.02.2023 18:26