VETTINGU/ Japin efekt thirrjet e BE dhe SHBA, shtohen kandidatët
Tre ditë para skadimit të afatit për aplikimet për organet e reja të Vettingut, duket se interesi i juristëve për t’u bërë pjesë e tyre është shtuar ndjeshëm.

Avokati i Popullit, institucioni që po menaxhon këtë proces, ka pritur ditët e fundit dhjetëra juristë që kanë dorëzuar dosjen.

“Kemi gjatë ditës së djeshme dhe sot një numër shumë të madh njerëzish të interesuar që po shkruajnë në adresën tonë të reformës në drejtësi dhe janë të interesuar që të kandidojnë për të gjitha organet e Vettingut”, deklaron avokat Igli Totozani.

Ndërkohë, ekspertët e Avokatit të Popullit po japin ndihmën e nevojshme për plotësimin e saktë të dosjeve të secilit kandidat që mund të ketë mangësi.

“Të kandidojnë masivisht, sikurse po ndodh në këto momente dhe i sigurojmë që institucioni i Avokatit të Popullit, jo vetëm përmes webit, por unë personalisht dhe stafi jemi këtu deri në momentin e fundit, çdo ditë nga 8 e 30 e mëngjesit deri në 8 e gjysmë të darkës, deri të enjten që është dhe afati i fundit”, nënvizon Totozani.

Të hënën Bashkimi Europian, ashtu si Ambasada e Shteteve të Bashkuara më herët, iu drejtua me një thirrje të gjithë juristëve që të regjistrohen.

Kriteret ligjore konsiderohen të forta. Ndër 11 prej tyre janë diplomimi si jurist, duhet të kenë standarde të larta profesionale dhe morale.

Vjetërsia në punë është një tjetër kriter ligjor, ndërsa e rëndësishme është që të gjithë kandidatët të mos kenë qenë subjekte të ligjit të dekriminalizimit, anëtar apo bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, të mos jetë mbi 65 vjeç. Komisionet e vettingut do të kenë gjithashtu një trajtim të veçantë, jo vetëm financiar./TCH/
Shtuar më 07/02/2017, ora 17:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori