Vettingu, Blushi: Procesi po manipulohet. Balla: Ti s’merr vesh nga reforma (VIDEO)
Ditën e sotme po zhvillohet séanca parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë ku janë të pranishëm vetëm deputetët e pozitës.

Pavarësisht se në dukje pritej një ditë e qetë, mes deputetit Taulant Balla dhe kreut të LIBRA-s Ben Blushi ka pasur debate mbi shtyrjen e Vettingut për 7 ditë, vendim i cili u mor ditën e hënë pa praninë e opozitës.

Ben Blushi nga foltorja e Kuvendit i është drejtuar me tone të ashpra deputetit socialist Taulant Balla pasi sipas tij shtyrja e afatit të Vettingut është i paligjshëm.

“Dalin disa ministra dhe thonë se pas procesit të vettingut, do të ndryshojë modeli i këpucëve, do të rritet numri i bletëve në Dibër apo do të ndryshojë çmimi i arrës në Tropojë. Jo të nderuar. Vetingu ka për qëllim që të fusë disa ish-­ministra, ish-­kryebashkiake apo qeveritarë vrasës në burg. Kaq e thjeshtë është” tha Blushi.

Blushi këtë argument e bazoi në nenin për Vettingut ku lexonte se nuk lejohej shtyrja e afatit. Blushi vazhdoi akuzat duke deklaruar se kjo lëvizje e pozitës është bërë me qëllim manipulimin e procesit dhe futjen e kandidatëve të cilët nuk plotësojnë kushtet e procesit.

Blushi: Vendi është në krizë, ndërsa reforma në drejtësi është e bllokuar. Vettingu vë drejtësi duke arrestuar politikanë. Procesi i vettingut u bllokua me vendim anti-kushtetues

Balla: Nuk ia ke haberin reformës në drejtësi. Reformën je mësuar ta diskutosh në kafe. Por ky është proces diskret dhe i bazuar në ligj. Kthimi të Avokati i Popullit është për rishqyrtim. Ato që thua i ke inate me PS, s’kanë lidhje me vettingun. Bojkoti i opozitës është për të bllokuar komisionin ad hoc.

Blushi: Vendimi që morët për shtyrjen e afatit është joligjor. Duartrokitje të vakëta korre Taulant. Premtova që nuk do bëj debat me ty, por edhe unë i infektuar nga ky parlament jam e shkel fjalën time.

Kujtojmë që ditën e hënë u shtye afati për Vettingun pasi opozita dhe aleatët e saj gjenden prej 19 ditësh në protestë para kryeministrisë, duke e bërë të pamundur ngritjen e komisioneve për nisjen e procesit të Vettingut./albeu.com/
Shtuar më 09/03/2017, ora 12:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori