VETINGU/ Kuvendi mblidhet sot jashtë radhe, ç’do bëjë opozita
Parlamenti i Shqipërisë pritet të mblidhet sot pasdite në seancë jashtë radhe për ngritjen e komisioneve "ad hoc" për vetingun, por edhe pse opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, Vasilika Hysi ka thënë se do të respektohet rregullorja e Kuvendit.

"Mënyra se si do të operojnë komisionet ad hoc bazohet në ligjet e vetingut dhe në rregulloren e Kuvendit. Do të zbatohet rregullorja e Kuvendit. Vendimet ne nuk i marrim me shumicë absolute, domethënë nuk i marrim me 3/5 apo me 2/3", është shprehur Hysi për "Top Channel".

Nëse procesi nis të hënën pasdite në Parlament, brenda pak ditësh, sipas deputetes Hysi, komisioni i parë, ai i verifikimit, i përbërë nga 3 deputetë të pozitës dhe 3 të opozitës, do të realizojë një seancë dëgjimore me 100 kandidatët e mbetur në garë, nga të cilët Parlamenti do të miratojë me votim 27 anëtarët e organeve të vetingut, për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të Reformës në Drejtësi, pas propozimit të komisionit të dytë ad hoc, atij të përzgjedhjes. /albeu.com/
Shtuar më 06/03/2017, ora 08:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori