Vetëvrasja e biznesmenit për shkak të borxheve
Borxhet duket se ka qenë shaku kryesor që biznesmeni Shkëlqim Mullaj të vetëvritej me një plumb në kokë brenda makinës së tij, në afërsi të sektorit “Rinia” në Durrës. Ky nuk është vetëm verisoni zyrtar i policisë, të afërm të viktimës treguan për gazetën “Panorama” se 42-vjeçari që prej katër ditësh kishte shfaqur shenja depresioni dhe qëndronte i veçuar nga pjesëtarë të tjerë të familjes.

“Shkëlqimi qëndronte i mbyllur në vetvete dhe nuk fliste sikurse bënte gjithnjë. Madje, ky fakt i kishte rënë në sy dhe gruas së tij, e cila ishte shqetësuar për gjendjen e të shoqit. Vërtet ai kishte probleme e borxhe të shumta të akumuluara prej kohësh për shkak të biznesit të kromit që kishte ngritur në Bulqizë, por askujt nuk i shkoi ndërmend se ai mund të ndërmerrte aktin ekstrem, atë të vetëvrasjes.

Ne jemi të sigurt se Shkëlqimi është vetëvrarë për shkak të gjendjes ekonomike të rëndë që po i sillte galeria e kromit, të cilën e kishte blerë që prej tri vitesh në Bulqizë. Edhe pse kishte hedhur para të shumta në galerinë e kromit, kjo e fundit nuk kishte nxjerrë fitime.

Madje, me galerinë Shkëlqimi vetëm harxhonte, ku përveç se hodhi lekë të madh për ta blerë, vazhdonte të shpenzonte muaj pas muaji për pagat e punëtorëve, blerjen e lëndës plasëse e shpenzime të tjera”.

Sipas të afërmve të tij, Shkëlqimi herë pas here merrte borxhe për të shlyer pagat e punëtorëve, por edhe që të blinte materialet e nevojshme për të punuar në galeri.

“Ai merrte para borxh dhe nuk i shlyente dot. Sedra që ai kishte bëri që të ndërmerrte këtë akt, duke u vetëvrarë.
Ne jemi të sigurt se kjo është arsyeja e vetme që ai i dha fund jetës”, tregojnë të afërmit. Nga familjarët mësojmë se bisedën e fundit telefonike, vetëm 30 minuta para se të vetëvritej, Shkëlqimi e ka bërë me bashkëshorten e tij, së cilës i kishte thënë se do të kthehej shumë shpejt në shtëpi. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2013, ora 12:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori